TIRANË- Porositësi i vrasjes së kryekomisarit të Vlorës, Artan Cuku është i dënuari i radhës, i cili do të duhet të deklarojë pasurinë e tij! Ditën e sotme, Operacioni Forca e Ligjit i ka dërguar ditën e sotme formularin e pasurisë, Bledar (Rikardo) Jambelli (Muho) i arrestuar më 31 dhjetor të vitit 2013.
Po kush është Bledar (Rikardo) Jambelli (Muho)? 40-vjeçari u shndërrua në njeriun më të kërkuar të policisë, si njeriu që ka porositur vrasjen e Artan Cukut për hakmarrje për arrestimin në vitin 2012 kur Cuku mbante detyrën e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës. Ai u arrestua në Greqi, ku dhe fshihej prej disa kohësh. Ka qenë Mikel Shallari në 2 maj 2017, autori që kreu krimin që çoi në zbulimin e dinamikës së vrasjes. Duke marrë statusin e të penduarit të drejtësisë dhe i dënuar me 10 vite burg, Shallari rrëfeu se ishte paguar 3 mijë euro nga Bledar Jambelli për vrasjen e Cukut, ndërsa i ishin premtuar 20 mijë euro në total të cilat ai nuk i kishte marrë.
Ndërkohë, OFL u ka dërguar formularin për deklarimin e pasurisë dhe 4 të dënuarve të tjerë, më konkretisht Adriatik Gabës, Klaudion Karagjozit, Xhevair Derxhisë dhe Rimel Shehut.
"Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
Bledar (Rikardo) Jambelli (Muho), banues në Fier, dënuar për veprën penale "Vrasje e punonjësit të policisë së shtetit" kryer në bashkëpunim
Adriatik Gaba, me banim në Gjirokastër, dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”;
Klaudion Karagjozi, me banim në Gjirokastër, dënuar për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve";
Xhevair Derxhia, me banim në Lazarat Gjirokastër, dënuar për “Kultivimi i bimëve narkotike”;
Rimel Shehu, me banim në Tepelene, dënuar për shkelje te ligjit penal grek për narkotikët", njofton policia.