Tiranë- Nisi procesi në Apelin e Gjykatës së Posaçme, për Laert Haxhiun, i dënuar me burgim të përjetshëm nga GJKKO për “Masakrën e Lushnjës”, e ndodhur më 11 Tetor të vitit 2017.
I cilësuar si kreu i një prej bandave rivale të asaj të Lushnjës, e drejtuar nga Aldo Bare, Haxhiu ka apeluar vendimin e shkallës së parë të GJKKO, që vendosi burg përjetë në mungesë për 33-vjeçarin, i akuzuar për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiu dhe të Bujar Turkut, kurse shënjestër dyshohet se kishin nipin e Bares.
E pranishme në sallë ishte prokurorja Doloreza Musabelli, si dhe kreu i SPAK, Altin Dumani.
Gjyqi ndiqet dhe nga babai i Laert Haxhiut. Në seancë ndodhej edhe vetë Laert Haxhiu, që mbrohet nga avokati Detar Hysi.
Mbrojtësi ligjor kërkoi largimin nga trupa e gjykimit të gjyqtares Daniela Shirka, pasi ka shqyrtuar një kërkesë në themel.
Kurse prokurorja e dosjes tha se “Bujar Turku dhe Agron Hoxha konsiderohen të njoftuar, ndërsa për personat e tjerë që janë larguar kërkojmë edhe njëherë të tentohet njoftimi i tyre. Në këto kushte kërkojmë shtyrjen e seancës, që të njoftohen dhe ata”.
Trupa gjykuese vendosi që në këto kushte, do procedojnë me njoftimin për shpallje për Fatos Latifin, Marjus Xhepexhiun, ky i plagosur në atentat dhe Xhuljo Shkurti, që besohet se ishte objektivi.
Seanca e radhës u shty për datën 23 Tetor 2024, ora 09:00. Haxhiu është dënuar me izolim përjetë nga shkalla e parë më 24 Prill të këtij viti, në lidhje me këtë ngjarje. Haxhiu kap vitin e kaluar në Greqi dhe u ekstradua pak javë më parë (3 Korrik), nga Interpol Tirana.
Ai ka edhe një dosje tjetër të hapur nga SPAK së fundmi, për organizatën kriminale të akuzuar për 18 krime, mes të cilave 6 vrasje dhe 5 atentate në një dekadë, ku të pandehur janë shumë persona.