TIRANË- Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur të rihapet dosja e Arben Frrokut, i dënuar përjetë për vrasjen e komisariatit Dritan Lamaj në 2013. Strasburgu vlerëson se procesi ndaj tij ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut dhe duhet të rigjykohet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Arben Frroku është i dënuar përjetë nga Apeli i Krimeve të Rënda për vrasjen e komisarit Lamaj, por ai ndodhet në burg në Holandë, shtet i cili ka refuzuar ekstradimin e tij.
Vendimi unanim i Strasburgut detyron shtetin shqiptar të rihapë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Strasburgu ka vlerësuar se është shkelur neni 6, pika 1 e Konventës së të Drejtave të Njeriut, në lidhje me të drejtën e ankuesit për një vendim të arsyetuar nga Gjykata Kushtetuese.
Frroku iu drejtua Gjykatës së Strasburgut pasi ankimi i tij iu rrëzua edhe në Gjykatën e Lartë më 8 qershor 2017, si edhe në Gjykatën Kushtetuese më 24 prill 2018, duke lënë në fuqi dënimin me burg përjetë.
"Gjykata arrin në përfundimin se kjo mungesë e arsyetimit adekuat nuk ka përmbushur kërkesat e një gjykimi të drejtë. Rrjedhimisht, ka pasur shkelje të nenit 6 pika 1 të Konventës.
Duke pasur parasysh konstatimin e saj në lidhje me të drejtën e ankuesit për një gjykim të arsyetuar sipas nenit 6 pika 1 të Konventës, Gjykata vëren se kërkuesi tani ka një mundësi për të kërkuar rihapjen e procedurave përpara Gjykatës Kushtetuese", thuhet në vendim.
Po në mënyrë unanime, Strasburgu ka rrëzuar kërkesën e Frrokut për dëmshpërblim 50 mijë euro dhe kompensim shpenzimesh 10 mijë euro, por ka vendosur që çështja të rihapet në Gjykatën Kushtetuese, për mos respektim të të drejtave të njeriut.
"Kërkuesi kërkoi 50,000 euro (EUR) për dëme jo pasurore dhe 10,000 euro për shpenzime dhe kostot e procedurave para Gjykatës Kushtetuese dhe para Gjykatës. Qeveria e konsideroi kërkesën për këto shuma të pabazuar dhe të tepërta, dhe gjithashtu deklaroi se kërkuesi nuk kishte paraqitur fatura për të mbështetur shpenzimet e tij.
Gjykata rithekson se një vendim në të cilin ajo konstaton një shkelje të Konventës i imponon shtetit përgjegjës një detyrim ligjor për të ndaluar shkeljen dhe për të kompensuar pasojat e saj. Duke marrë parasysh natyrën e ankesave të kërkuesit dhe shkeljen e konstatuar, Gjykata konsideron se forma më e përshtatshme e riparimit për shkeljet e gjetura do të ishte rinisja e procedurave para Gjykatës Kushtetuese, nëse kërkuesi do të kërkonte një gjë të tillë, pasi kjo mund të sigurojë riparimin e plotë (restitutio in integrum) siç kërkohet nga Neni 41 i Konventës. Në këtë lidhje, Gjykata vëren se Seksioni 71(c) i Ligjit të Gjykatës Kushtetuese parashikon se procedurat para Gjykatës Kushtetuese mund të rinisen nëse një gjykatë ndërkombëtare me juridiksion të detyrueshëm për Republikën e Shqipërisë konstaton se të drejtat ose liritë themelore të një individi janë shkelur "për shkak të një vendimi të [mëparshëm] të Gjykatës Kushtetuese". Duke qenë kështu, konstataimi i shkeljes përbën një kompensim të mjaftueshëm për kërkuesin në këtë rast.
Sa i përket shpenzimeve dhe kostove për procedurat para Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës, kërkuesi nuk ka mbështetur kërkesën e tij me ndonjë dokument të nevojshëm. Gjykata prandaj e hedh poshtë këtë kërkesë", thuhet në vendim.
Frroku dënimin po e vuan në Holandë i arrestuar atje fillimisht për falsifikim dokumentesh, por më pas edhe për faktin se ishte në kërkim ndërkombëtar, por ekstradimi drejt Shqipërisë u refuzua pasi Frroku pretendoi se i rrezikohej jeta. Ndryshe nga vendimi për burg përjetë të marrë në Shqipëri, Gjykata holandeze e ka dënuar me 18 vite burgim.
Arben Frroku është vëllai i ish-deputetit, Mark Frroku, i liruar nga burgu në maj të vitit 2018 i dënuar për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje. Mark Frroku u akuzua edhe për një vrasje në Belgjikë, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1999, por akuzat për këtë krim ranë për mungesë provash, ndërsa ish-deputeti deklaroi disa herë me radhë se ai nuk kishte gisht në këtë ngjarje.
Gjykata e Strasburgut në mënyrë unanime
1.Deklaron të pranueshme ankesën sipas nenit neni 6, pika 1 e Konventës në lidhje me të drejtën për një vendim të arsyetuar nga Gjykata Kushtetuese dhe të papranueshme ankesën sipas nenit neni 6, pika 1 e Konventës në lidhje me aksesin në Gjykatën Kushtetuese.
2.Konstaton se ka ndodhur një shkelje e neni 6, pika 1 e Konventës lidhur me të drejtën e kërkuesit për një vendim të arsyetuar nga Gjykata Kushtetuese.
3.Konstaton se gjetja e shkeljes përbën kompensim të mjaftueshëm për dëmet jo pasurore që kërkuesi ka pësuar.
4.Konstaton se nuk ka nevojë të shqyrtohen pranueshmëria dhe meritat e ankesave të mbetura.
5. Heq dorë nga shqyrtimi i kërkesës për kompensim.
Komente
