I dërgoi babait 800 euro në Siri, GJKKO pranon kërkesën e SPAK për gjykim të Muhamet Manollarit: Financoi terrorizmin

28 Maj, 17:36| Përditesimi: 28 Maj, 17:49

  • Share

GJKKO pranon kërkesën e SPAK për gjykim të Muhamet Manollarit i cili akuzohet për financim të terrorizmit për shkak se në vitin 2013 i ka dërguar babait të tij në Siri një shumë prej 864 euro. 

Ai akuzohet për ‘Financimi terrorizmi’ , pasi babai i tij Mehdi Manollari në 2013 është larguar nga Shqipëria për në Siri, duke u bërë pjesë e organizatës “ISIS”, e listuar si organizatë terroriste nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara. 

"Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 21.03.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të çështjes penale hetuar në kuadër të procedimit penal nr. 255 i vitit 2021 i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ngarkim të të pandehurit Muhamet Manollari, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Financimi i terrorizmit” e parashikuara nga neni 230/a i K.Penal. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Dërgimin për gjykim të çështjes penale hetuar në kuadër të procedimit penal nr. 255 i vitit 2021 i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ngarkim të të pandehurit Muhamet Manollari, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Financimi i terrorizmit” e parashikuara nga neni 230/a i K.Penal. Urdhërohet depozitimi i vendimit gjyqësor të dërgimit të çështjes në gjyq së bashku me fashikullin e gjykimit në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si gjykata kompetente për gjykimin e çështjes së themelit, brenda dhjetë ditëve nga shpallja e tij", thuhet në njoftimin e GJKKO.

Hetimet ndaj tij kanë nisur në 2021, ndërsa episodit që SPAKi referohet ka ndodhur në 2018.

"Në datën 19.11.2018, i pandehuri Muhamet Manollari, ka transferuar nëpërmjet një institucioni që ofron shërbime financiare “transferta monetare” shumën prej 864 (tetëqind e gjashtëdhjetë e katër) Euro, në favor të shtetasit sirian me iniciale A.A.S, me qëllim për t’ia dërguar babait të tij Mehdi Manollari, i cili në atë kohë ndodhej në Siri, dhe ka qenë pjesëmarrës i organizatës terroriste “ISIS” (besohet të ketë vdekur në vitin 2019). Për të dërguar këtë shumë parash, i pandehuri Muhamet Manollari, nuk ka përdorur emrin e tij, por ka përdorur një kartë identiteti në emër të shtetases me iniciale A. N., e cila e kishte raportuar atë të humbur, disa kohë para ngjarjes, dhe shuma e parave është dërguar jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë shtetasit Mehdi Manollari (pasi ai ka qenë i listuar si person ndaj të cilit nuk mund të kryheshin transferta), por një personi tjetër të referuar prej tij, shtetasit sirian A.A.S".

Mehdi Manollari, i ati i Muhamet Manollarit është listuar sipas VKM-së nr.769, datë 02.11.2016 edhe në listën kombëtare të personave të shpallur për financim të terrorizmit.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?