I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar mbështet 'Open Balkan'! Ministrja e Jashtme: Do forcojmë bashkëpunimin

10 Janar 2022, 15:20| Përditesimi: 10 Janar 2022, 15:58

  • Share

Në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme organizoi një bashkëbisedim me studentë dhe diplomatë të rinj. Mësohet se mes të ftuarve në këtë aktivitet të organizuar ishte edhe i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

“Dëshiroj që ta shikoj Ballkanin Perëndimor të qëndrueshëm jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por madje dhe për Evropën dhe të gjithë angazhohemi që t’ju ndihmojmë ju në udhëtimin tuaj euroatlantik”, tha Peach gjatë fjalës së tij.

Ndërsa ministrja e Jashtme Olta Xhaçka theksoi se do të vijojnë bashkëpunimin duke lënë pas hijet e së shkuarës.

“Me sir Peach konfirmuam se do të vijojmë bashkëpunimin dhe të lëmë pas hijet e së shkuarës. Ritheksoj se dialogu dhe bashkëpunimi rajonal do ketë synim gjeneratën e ardhshme.”-deklaroi Xhaçka.

Një ndër pyetjet që iu bë Peach ishte ajo për “Open Balkan” dhe deklaratat e Ramës se kjo nismë nuk pengon Procesin e Berlinit. Peach u shpreh se Mbretëria e Bashkuar mbështet nismën për aq kohë sa nuk krijon konkurrencë në rajon. Madje ai i sheh këto dy nisma si komplementare të njëra-tjetrës.

“Ne respektojmë qeverinë e Shqipërisë dhe sovranitetin. Këto janë iniciativa që do të jenë komplementare ndaj njëra-tjetrës dhe nuk duhen parë në garë mes atyre që kanë ekzistuar dhe këtyre të reja. Këto iniciativa janë përfshirëse për rajonin. Duhet t’i përgëzojmë dhe t’i mbështesim me qëllim që gjithë rajoni të punojë së bashku për çështje që janë të reja dhe madje të vjetra që të mundohen të gjejnë zgjidhje. Ne me gjithë mend e mbështesim për aq kohë sa ato nuk krijon ndonjë konkurrencë”. - theksoi Peach.

Ndër të tjera ai deklaroi se e vlerëson rolin e Shqipërisë si forcë stabilizuese në rajon.

“E vlerësoj rolin e Shqipërisë si forcë stabilizuaese në rajon dhe si një ish-kryetar i NATO e kuptoj profesionalizmin, dedikimin e forcave tuaja të armatosura. Kjo shkon përtej. Gjithë shoqëria juaj dhe ne duhet ta vazhdojmë këtë miqësi 100-vjeçare dhe ta përkthejmë në mundësi të shumta. Ne kemi nevojë për mendjet tuaja krijuese të reja dhe besoj do të gjejmë mënyra të tjera për t’i bashkuar të rinjtë e këtyre vendeve”.-deklaroi ai.

Ndërkohë ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, në një videomesazh u shpreh se është mirënjohëse për mbështetjen e Britanisë në procesin e demokratizimit të Shqipërisë.

“Kujtojmë me respekt rolin e diplomatëve për kontributin e tyre. Vendet tona janë angazhuar të bashkëpunojnë më shumë si aleatë të NATO-s dhe të Këshillit të Sigurimit. Mjedisi i sigurisë sot është i paparashikueshëm. Ky mjedis dikton nevojën e një bashkëpunimi më intensiv me NATO-n dhe partnerët rajonalë.”-tha Xhaçka.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?