Peter Sorensen me Vjosa Osmanin

Kosova & Rajoni

I dërguari i BE për dialogun Serbi-Kosovë, Peter Sorensen takohet në Prishtinë me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin

6 Gusht, 13:30| Përditesimi: 6 Gusht, 15:04

  • Share

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, u takua me krerët më të lartë shtetëror të Kosovës në Prishtinë, me të cilët bisedoi për mënyrat e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe për situatën aktuale.

Vizita nisi me një takim me Presidenten Vjosa Osmani dhe më pas me  Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Pas dy takimeve, emisari tha se procesi për normalizimin e raporteve kërkon ende shumë kohë, por është aktiv

“Sapo pata takim me Kryeministrin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani. Jam këtu për shkak të mandatit tim, për të diskutuar se si t’i zbatojmë marrëveshjet, sepse situata politike këtu nënkupton që gjërat mund të marrin më shumë kohë. Kështu që ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu”.

Vizita e Sorensen vjen në një moment krize institucionale për Kosovën, pasi prej  zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, vendi nuk ka mund të krijojë institucionet e reja.

Sipas një njoftimi të Presidencës së Kosovës, Osmani i ka kërkuar emisarit që procesi negociues në Bruksel të jetë i drejtë, i paanshëm dhe me objektiva të qarta.

Serbia ka paralajmëruar se nuk mund të ketë dialog pa lirimin e zyrtarit serb, Igor Popoviq i arrestuar në Kosovë, pasi gjatë një fjalimi e kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.

Takim të nivelit të lartë në dialog Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023, ku një grup i serbëve të armatosur të sulmonte Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.

Marrëveshja e Ohrit u arrit në vitin 2023. Edhe pse ajo nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se është detyruese për të dyja palët.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër të tjera, parashikon një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha i quajti vrasje shtetërore pa dashje ato të 21 janarit, ju si i konsideroni?