Keith Kellogg, i dërguari special i Donald Trump për Rusinë dhe Ukrainën, ka deklaruar se SHBA nuk duhet ta shohë konfliktin në Ukrainë si një luftë me fitues e humbës, pasi kjo vetëm sa do ta tërhiqte Amerikën në një konflikt të pafundmë.
Duke folur në Council on Foreign Relations, ish-gjenerali amerikan theksoi se Trump nuk po synon fitoren e asnjërës palë, por dëshiron t’i japë fund luftimeve.
Kellogg gjithashtu hodhi dritë mbi tensionet e fundit mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe Donald Trump, gjatë takimit të tyre në Zyrën Ovale.
Sipas tij, përplasja e ashpër ishte rezultat i gabimit të Zelenskyt, i cili u përpoq ta bënte negociatën publike në vend që të ndiqte skenarin e dakordësuar me senatorët amerikanë.
“Për të qenë të sinqertë, ukrainasit e kërkuan këtë situatë”, tha Kellogg, duke treguar se para takimit, 13 senatorë amerikanë i kishin dhënë Zelenskyt një plan të qartë për ecurinë e bisedimeve.
Ai u sugjeroi që takimi të fokusohej në nënshkrimin e marrëveshjes për metalet e çmuara, një drekë formale dhe një konferencë të shkurtër për shtyp.
Por gjërat morën një kthesë të papritur.
“Çfarë ndodhi? Takimi u kthye në një debat të ashpër që zgjati pothuajse 50 minuta, duke i kapur të gjithë në befasi”, shpjegoi Kellogg.
Sipas tij, Zelensky e gaboi strategjinë e tij, duke e kthyer takimin në një sfidë publike ndaj presidentit amerikan.
“Marrëveshjet e paqes nuk negociohen në publik. Nuk sfidohet Presidenti i SHBA-ve në Zyrën Ovale”, tha ai.
Në përfundim, Kellogg deklaroi se Trump nuk ka asnjë faj për këtë përplasje, pasi ukrainasit ishin paralajmëruar më parë për qëndrimin e administratës amerikane.
Komente
