I dërguari i Shtëpisë së Bardhë takon udhëheqësit izraelitë për të ulur tensionet me Libanin

16 Shtator, 20:20| Përditesimi: 16 Shtator, 20:26

  • Share

I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme u takua të hënën me udhëheqësit izraelitë me shpresë për të ulur tensionet ndërmjet Izraelit dhe Libanit.

Gjatë takimit me të dërguarin amerikan Amos Hochstein, Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant paralajmëroi se koha po mbaron për gjetjen e një zgjidhje politike dhe se Izraeli po shkon drejt një qasje më të ashpër kundër Hezbollahut.

Ministri Gallant paralajmëroi se e vetmja rrugë e mbetur për të siguruar kthimin e banorëve në shtëpitë e tyre në pjesën veriore të Izraelit është përmes një veprimi ushtarak, sipas zyrës së tij.

Në vitin 2022, i dërguari Hochstein ndërmjetësoi marrëveshjen detare kufitare ndërmjet Libanit dhe Izraelit. Dy vendet janë në gjendje lufte që prej pavarësisë së Izraelit më 1948.

Ndërkohë udhëheqësi i Hamasit, Jahja Sinuar tha se sulmi i fundit i rebelëve Huthi i kishte dërguar mesazh Izraelit.

Në një letër dërguar grupit, të botuar të hënën nga kanali televiziv i këtij grupi ‘al-Masirah’, Sinuar i përgëzoi rebelët për, siç tha ai “suksesin për ta hedhur raketën në thellësi të territorit të armikut duke tejkaluar të gjitha sistemet mbrojtjëse”.

Në letër, drejtuesi i Hamasit tha se sulmi me raketa nga Jemeni kishte dërguar mesazhin se të gjitha përpjekjet për të “izoluar” Hamasin kanë dështuar dhe se frontet mbështetëse nga grupet e lidhura me Iranin po bëhen më efikase.

Ai shtoi se që nga sulmi i 7 tetorit, Hamasi po bën “një luftë mbrojtëse që e ka lodhur armikun” dhe tha se Hamasi është i përgatitur për “një luftë të gjatë që do të thyejë” qëndrueshmërinë politike të Izraelit.

Ndërkohë, në Rripin e Gazës, zyrtarët palestinezë njoftuan se një sulm ajror izraelit la të vdekur 16 persona të hënën, në mesin e tyre pesë gra dhe katër fëmijë.

Sulmi shkatërroi një shtëpi në kampin e refugjatëve në Nuseirat, në pjesën qendrore të Gazës, duke vrarë të paktën 10 persona, përfshirë katër gra dhe dy fëmijë. Një sulm tjetër ndaj një shtëpie në qytetin e Gazës shkaktoi vdekjen e gjashtë personave, përfshirë një grua dhe dy fëmijë, sipas Mbrojtjes Civile, një grup i punonjësve të emergjencave që veprojnë nën menaxhimin e qeverisë së Hamasit.

Numri i palestinezëve të vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, ka arritur në mbi 41,000. Kjo ministri, e udhëhequr nga Hamasi, nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve të vrarë, por thotë se sipas të dhënave të saj mbi gjysma e të vrarëve janë gra dhe fëmijë. Izraeli thotë se ka vrarë 17,000 militantë, por nuk ka ofruar prova./VOA

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?