Steve Witkoff dhe Vladimir Putin, 11 prill 2025, Rusi

Bota

I dërguari i Trumpit, Steve Witkoff takohet me presidentin Putin në Rusi

11 Prill, 15:28| Përditesimi: 11 Prill, 17:32

  • Share

I Dërguari i SHBA për Ukrainën, Steve Witkoff është takuar këtë të premte në Rusi me presidentin Vladimir Putin, ku pritet të diskutojnë aspektet e bisedimeve për paqe në Ukrainë.

Vizita e Witkoffit zhvillohet një ditë pasi zyrtarë amerikanë dhe rusë u takuan në Stamboll për të diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike, gjë që mund të çojë në rikthimin e stafit të ambasadave, të cilët u dëbuan që kur nisi pushimi rus i Ukrainës më 2022.

Kjo është vizita e tretë e Witkoffit në Rusi që kur Trump mori detyrën në janar, duke premtuar përmirësim të marrëdhënieve me Moskën.

Muajin e kaluar, takimi i tij me Putinin i hapi rrugë një telefonate mes dy presidentëve. Ai gjithashtu vizitoi Rusinë në shkurt dhe ishte pjesë e bisedimeve SHBA-Rusi në Riad.

Kush është Steve Witkoff?

Witkoff është një zhvillues pronash nga Nju Jorku dhe mik i Trumpit, pa përvojë të mëparshme diplomatike. Kjo ka ngritur shqetësime në disa rrethe për rolin e tij udhëheqës në bisedime kaq të ndjeshme.

“Fakti që ai nuk ka kontekstin dhe historikun se si negociojnë rusët me amerikanët është, sipas mendimit tim, problematik”, tha David Kramer, i cili ka mbajtur një pozicion të lartë në Departamentin e Shtetit gjatë administratës së George Ë. Bush.

“Putini i thotë fjalë të bukura, i jep një portret të presidentit, flet për shkuarjen në kishë dhe për t’u lutur për mikun e tij [Trump]”, i tha Kramer Radios Evropa e Lirë më 10 prill.

“Ato janë taktika të vjetra të KGB-së. Dhe mendoj se Witkoff nuk ka ndërgjegjësim të mjaftueshëm për të kuptuar çfarë po ndodh atje”.

Trump e ka lavdëruar Witkoffin. Në janar, ai e quajti atë “një negociator i shkëlqyer... një person i madh për marrëveshje”.

Qëllimi i vizitës së Witkoffit është të shtyjë përpara përpjekjet e bllokuara të SHBA-së për të ndërmjetësuar një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës. Trump ka shprehur së fundmi zhgënjim me të dyja palët për mungesën e përparimit.

Trump kritikoi Rusinë për intensifikimin e fushatës së saj ajrore ndaj Ukrainës dhe tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po “përpiqet të tërhiqet” nga një marrëveshje që i jep Uashingtonit qasje në depozitat e mineraleve të rralla në Ukrainë.

Një delegacion ukrainas pritet të zhvillojë bisedime për këtë marrëveshje në Uashington më vonë më 11 prill.

Turqia premton mision në Detin e Zi

Ndërkohë, në Bruksel, është bërë përparim në formimin e një force ushtarake të udhëhequr nga Evropa për ta vendosur në Ukrainë në rast të një armëpushimi apo marrëveshjeje paqeje.

Dy burime diplomatike evropiane i thanë Radios Evropa e Lirë se Turqia është shprehur e gatshme për të “marrë përgjegjësinë për dimensionin detar të misionit”.

Kjo u bë gjatë një takimi të “koalicionit të vullnetit” më 10 prill.

Deri më tani, vetëm Britania dhe Franca kanë dhënë publikisht zotime për të dërguar trupa, ndonëse vende të tjera janë shprehur të hapura në varësi të rrethanave të dislokimit.

Më 11 prill, Britania dhe Gjermania kryesuan një takim të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në Bruksel, që koordinon ndihmën ushtarake për Ukrainën.

Ky grup u krijua në vitin 2022 dhe kryesohej nga ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Pasardhësi i tij, Pete Hegseth, ka qëndruar më në hije dhe mori pjesë në këtë takim përmes video-lidhjes.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se Hegseth dha “vlerësime interesante dhe të sakta” në fjalën e tij.

Përpara takimeve, vendet evropiane kishin premtuar mbështetje të re për Ukrainën për muajt dhe vitet në vijim.

Britania dhe Norvegjia shpallën një paketë të përbashkët për dronë ushtarakë, sisteme radari dhe mina antitanke.

Gjermania dhe Holanda njoftuan se do të ofrojnë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore dhe raketore.

“Kjo do të ketë ndikim në fushëbetejë këtë vit”, tha Pistorius./ REL

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?