'I ditur dhe duarartë', politika dhe personazhë të tjerë shprehin ngushëllimet për ortopedin shqiptar: Model frymëzimi për brezat e rinj

7 Qershor 2020, 12:01| Përditesimi: 7 Qershor 2020, 12:02

  • Share

Është ndarë sot nga jeta në moshën 88-vjeçare mjeku ortoped Panajot Bogo, i cili ka lënë gjurmë në mjekësinë shqiptare. Për këtë arsye për dhe për largimin e tij nga kjo botë kanë reaguar Presidenti i Republikës Ilir Meta, kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi, Tritan Shehu si dhe Arben Gjata.

Meta ndër të tjera thotë se 'Boga la një trashëgimi të vyer e model frymëzimi për brezat e rinj', ndërsa Ruçi përtej ngushëllimeve e cilëson mjekun si 'i ditur dhe duarartë'.

Ora 11:39
'I ditur dhe duarartë', Ruçi shpreh ngushëllimet për mjekun e ndarë nga jeta: Do të jetojë në mirënjohjen e të gjithëve

Gramoz Ruçi, kryetari i kuvendit, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjekut ortoped Panajot Boga të cilin e cilëson si të ditur dhe duarartë. Sipas Ruçit Boga është emblema e ortopedisë shqiptare dhe një mjek që do të jetojë në mirënjohjen e të gjithëve.

“Me trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit të shquar të mjekësisë, ortopedit të njohur, mikut tim të hershëm dhe të çmuar Panajot Boga. Profesor Boga është një ndër themeluesit e shërbimit mjekësor shqiptar, krijues dhe drejtues jetëgjatë i shërbimit të ortopedisë, profesor i dhjetra brezave të studentëve, një sintezë e vlerave më të mira të personalitetit dhe njeriut të dashur, mjekut të ditur, duarartë, të përkushtuar e  të palodhur, që shërbeu deri në ditët e fundit të jetë me profesionalizëm dhe humanizëm të pashoq. Profesor Panajot Boga do të jetojë në kujtesën dhe mirënjohjen e mijra studentëve, dhjetra-mijra pacientëve dhe të gjithë shqiptarëve, të cilëve u shërbeu me bisturinë, kurajon dhe fjalën e ëmbël. Lamtumirë, Profesor Panajot Boga!”,- shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ora 10:45
Ndarja nga jeta e mjekut ortoped, Meta: La pas një trashëgimi të vyer e model frymëzimi për brezat e rinj

Presidenti Ilir Meta me anë të një shënimi në 'facebook' ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të mjekut të shquar të Ortopedisë Panajot Boga, i cili ndërroi jetë sot në moshën 88-vjeçare. Sipas Metës mjekësia shqiptare humbi një mjek novatar e të palodhur, i cili la pas një trashëgimi të vyer.

"Me shumë trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Profesorit të nderuar dhe mjekut të shquar të Ortopedisë shqiptare, Panajot Boga.

Mjekësia shqiptare humbi mjekun novator e të palodhur, por edhe drejtuesin energjik dhe aplikuesin vizionar të shkencës progresive në fushën e Ortopedisë, i cili la pas një trashëgimi të vyer e model frymëzimi për brezat e rinj të mjekëve.

Ngushëllime të sinqerta familjes së dashur Boga, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë komunitetit të mjekëve.

I përjetshëm kujtimi i Profesor Bogës!"-shkruan Meta.

 

 

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?