Kamerat e sigurisë kanë regjistruar siluetën e një personi të moshës rreth 25 vjeç, që ka lyer me benzinë dhe më pas djegur dy automjetet e ish-gjyqtarit të Apelit Durrës, Arben Vrioni dhe vajzës së tij. Vrioni është shkarkuar pak muaj më parë nga vetingu.
Ngjarja e ndodhur në mbrëmjen e datës 17 prill 2020 në qendër të Elbasanit, për momentin nuk ka asnjë person të arrestuar. Por gjatë verifikimeve të kamerave të sigurisë të një biznesi aty pranë, është dalluar silueta e një personi që afrohet fillimisht pranë makinës së ish-gjyqtarit Vrioni dhe më pas spërkat atë me një bidon me benzinë, duke i vendosur flakën. Pas këtij veprimi, autori i moshës rreth 25-vjeç është larguar disa metra më larg, duke spërkatur me benzinë dhe djegur një makinë tjetër tip “Benz” Fouristradë, e cila më pas rezultoi të ishte në pronësi të vajzës së gjyqtarit, mjet ky i blerë gati 6 muaj më parë. Largimi i autorit është filmuar nga kamerat e sigurisë të një biznesi aty afër, por në këtë filmim të sekuestruar nga policia, nuk dallohet qartë fytyra e personit.
Lidhur me këtë ngjarje në policinë e Elbasanit janë shoqëruar 15 persona, të cilët pasi janë marrë në pyetje sërish janë liruar. Në pyetje është marrë gjyqtari Vrioni dhe vajza e tij, por të dy nuk kanë qenë në gjendje të japin në polici emra konkretë se kush mund të ishte personi apo urdhëruesi, për djegien me benzinë të dy automjeteve.
Vrioni, ka pohuar se gjithçka lidhet me detyrën e tij si gjyqtar, por nuk ka qenë në gjendje tu tregojë policëve se kush mund të ishin autorët. Djegia e makinave në Elbasan është një rast i përsëritur, pasi jo më larg se disa muaj sërish në këtë qytet dy oficerëve të policisë ju dogjën makinat. Briken Rusta dhe Gerti Hysenbelliu, ishin dy njerëzit e ndaluar nga policia e qytetit të Elbasanit, si autorët kryesorë të dyshuar, për ngjarjen e 8 janarit 2020, kur në Elbasan, u dogj me benzinë, automjeti i oficerit të policisë Edvin Gjyli.
Gjithashtu të dy personat e arrestuar nga policia dyshohen edhe për ngjarjen e datën 25 dhjetor 2019, ku në Elbasan është djegur automjeti i ish-oficerit të antidrogës në Elbasan, Krenar Kaso, që sot është shefi i paraburgimit në burgun e Bradasheshit.