Policia ekuadoriane ka raportuar të dielën (28prill) se ish-kandidatja për Miss Ekuador Landy Párraga, 23 vjeç, është vrarë në një restorant në qytetin e Quevedo, Ekuador.
Ata njoftuan se gjithashtu po mbledhin informacione dhe prova për të zbardhur shkaqet e vrasjes së pamëshirshme të modeles.
Párraga mori pjesë në konkursin Miss Ekuadori në 2022 duke përfaqësuar provincën e Los Ríos.
Në dhjetor të 2023 në disa prej bisedave të publikuara nga Prokuroria në kuadër të çështjes “Metastasis” ku po hetohet një strukturë e krimit të organizuar, ishte permendur edhe emri i saj.
Në bisedë, trafikanti i drogës Leandro Norero i kishte thënë i shqetësuar Helive Angulo-s, administratore e pasurisë së Norero-s, se emri i Párragës figuronte në një hetim prokurorie për pastrim parash dhe prandaj nuk donte që të ishte i lidhur me viktimën, citon CNN.
Ish-kandidatja dhe modelja për Miss Ekuadori Landy Párraga nuk foli publikisht për çështjen Metastasis muajt e fundit dhe nuk u procedua penalisht nga Prokuroria.
Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ekzekutimin e modeles Landy Párraga në një restorant të dielën (28 prill) në qytetin Quevedo të Ekuadorit.
Autoritetet nuk kanë ende një pistë të qartë në lidhje me shkaqet e ekzekutimit mafioz të saj nga dy persona, ndërsa mediat vendase e lidhin emrin e saj me njërin prej narkotrafikantëve më të mëdhenj të vendit, Leandro Norero. Dyshohet se ish-missi kishte një lidhje dashurie me narkotrafikantin.
Vetë Leandri Norero u vra në mënyrë makabre gjatë revoltës në një prej burgjeve të vendit në tetor të vitit të shkuar duke iu prerë koka.
Leandro Antonio Norero Tigua njihej si një ndër narko-trafikantët më të mëdhenj në vend dhe mbante pseudonimin “El Patron”.
Mediat përfolën emrin e tij si personi që porositi vrasjen e shqiptarit Ergys Dashit në Ekuador dy vite më parë, ndërkohë që njihej edhe si financues i tre grupeve kriminale.
Bëhet fjalë për grupet “Los Lobos”, banda më e madhe në vend, Los Tiguerones dhe Los Chones. Të trija grupet janë rivale të “Los Choneros”.