Ndryshe nga çfarë është folur deri më tani, trajneri Armando Cungu, rreshtohet krahë Sylvinhos për mos grumbullimin e Cikalleshit në kombëtare për kampionatin Evropian, sulmuesi i cili e mbylli karrierën me kuqezinjtë pas këtij vendimi.
“Të jem i sinqertë më duket e drejtë. Cikalleshi meriton jashtëzakonisht komplimente çfarë ka bërë gjatë viteve, por gjithmonë vjen një moment që duhet të tërhiqesh. Bëhet fjalë për një vendim jo të lehtë, por me 3 sulmues 9-sha mendoj se është e mjaftueshme për të shkuar në Evropian. Broja është lojtar i Premier League angleze dhe nuk kemi luksin ta lëmë jashtë, ndërsa në të njëjtën kohë Manaj në kampionatin turk po bën më mirë se askush tjetër,”-u shpreh Armando Cungu, trajner.
Trajneri i shumë ekipeve në Superligën tonë, Armando Cungu, mes të cilave edhe i kombëtares së moshave, thotë për Report Tv se gjithsesi lista pati një befasi.
“Të thëm të drejtën edhe unë jam surprizuar shumë për mos përfshirjen e Uzunit. Është e pakuptimitë. Ne si futboll shqiptar apo kombëtare shqiptare e kemi luks për të mos grumbulluar futbollistë të cilët luajnë në La Liga dhe Premier League. Sidoqoftë kontributi i tyre,”-tha Armando Cungu, trajner.
Risia e listës me 27 futbollistë, e publikuar të hënën nga Sylvinho, ishte mesfushori i Lecces Medon Berisha, i cili ishte edhe kapiteni i kombëtare shpresa.
“Berisha është një lojtar të cilin unë e kam grumbulluar për herë të parë në kombëtaren 19-vjeçare teksa atë kohë synonte të bëhej pjesë e U-21 të Young Boys. Kam patur fatin ta grumbulloj në dy ndeshje miqësore në Malin e Zi dhe që aty pash një djal të jashtëzakonshëm, me karaktar, profesionist dhe cilësi shumë të mirë. Në rradhë të parë vjen njeriu dhe më pas cilësitë që duhet thënë janë shumë të mirë,”-u shpreh Armando Cungu, trajner.
Në Evropian Shqipëria do përballet në grup me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.
“Është e vërtetë që është grup ferri. Grupi më i vështirë më i fortë dhe në këtë grup Evropiani për këdo kombëtare. Në të njëjtën kohë ta bën më të lehtë si trajner sepse nuk mund të presim gjëra jashtëtokësore nga kombëtarja jonë. Kjo nuk do thotë se ne duhet të shkojmë atje për turizëm dhe për tu justifikuar duke thënë se na ka rënë ekipe të vështirë dhe s’kemi çfarë të bëjmë. Në mënyrë absolute kombëtarja duhet të tregojë vlerat e veta,”-tha Armando Cungu, trajner.