TIRANE - Për herë të parë, pas 21 vitesh në qeli, Selman Myrto ka parë dritën e diellit për t'i dhënë lamtumirën e fundit, babait të tij që u nda nga jeta në fshatin Imesht të Lushnjes. Myrto është i dënuar me burgim të përjetshëm dhe vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Ishte viti 1998 kur ai u arrestua dhe u akuzua për vjedhje me dhunë në bashkëpunim në katër raste, dhe një grabitje të shkuar keq që përfundoi në vrasje ku Myrto në të gjitha proceset gjyqësore ka pretenduar pafajësi duke mos e konsideruar veten ekzekutor, por vetëm grabitës. Në vitin 1999 Selman Myrto u dënua me burgim të përjtshëm nga Gjykata e Lushnjës në mars të '99-ës, një vendim i lënë në fuqi edhe nga Apeli i Vlorës në qershor 1999, në një betejë gjyqësore që Myrto nuk arriti ta fitonte as në Gjykatën e Lartë.
Sot, Selman Myrto, ka mundur të marrë lejen e parë për të dalë nga burgu...për t'i hedhur një grusht dhe të atit. Shqiptarja.com mëson se varrimi është bërë në fshatin Imesht të Lushnjes. Më herët, Selman Myrto i ishte drejtuar me dy kërkesa për leje autoriteteve në burg, por i ishin refuzuar për mungesë dokumentacioni. Dëshironte të ishte në dasmën e vëllait të tij në vitin 2010, dhe në ceremoninë martesore të djalit të tij në vitin 2013. Pas 6 vitesh, Myrto ka mundur të fitojë lejen e posaçme, por këtë radhë, për mort!
Ajo që mund të shprehë në këtë ditë hidhërimi për të, është falenderimi ndaj institucioneve përkatëse që bënë të mundur daljen e tij ditën e sotme, ndonëse vetëm pak orë, sa për t'i dhënë lamtumirën babait të tij të moshuar. Myrto e nis falenderimin ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili dhe më tej drejtorit të burgit të Peqinit, Emin Shpata. Për familjarët e Selman Myrtos që prej 21 vitesh vuan dënimin e tij në burgun e sigurisë së lartë, prania e tij në ceremoninë mortore të përcjelljes për në banesën e fundit të babait, ishte një gjysmë lehtësim nga dhimbja për ndarjen e tij nga jeta.