‘I forti’ i Laçit i drejtoi pistoletën në fytyrë, Meta pret në zyrë gazetarin e Report TV, Julian Shota

10 Shtator 2018, 15:53| Përditesimi: 10 Shtator 2018, 17:21

  • Share

Presidenti i Republikës, Ilir Meta pret në zyrën e tij gazetarin e Report Tv Julian Shota, i cili u kërcënua me pistoletë në fytyrë në krye të detyrës. Ngjarja ndodhi pak ditë më parë teksa kishte shkuar të filmonte pasojat e një shpërthimi me tritol në lokalin e të fortit të Laçit Llesh Buraku, autori i kërcënimit.

Presidenti Meta pasi u njoh nga gazetari Shota me rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja, shprehu shqetësimin e tij të thellë dhe dënoi me ashpërsi rastet tronditëse të ndodhura së fundmi, të kërcënimeve dhe agresioneve ndaj gazetarëve.

Presidenti Meta e inkurajoi gazetarin Shota të vijojë misionin e tij, me guxim, pa u trembur e shantazhuar nga askush dhe shprehu solidarizimin e plotë me të gjithë komunitetin e gazetarëve. Meta përsëriti apelin e tij drejtuar institucioneve ligjzbatuese për të vepruar me shpejtësi për hetimin e zbardhjen e autorësisë dhe motiveve të këtyre sulmeve ndaj gazetarëve, fatkeqësisht të shpeshtuara, pasi siç theksoi “çdo vonesë në këtë drejtim do të ndikojë negativisht në klimën e lirisë së shprehjes në Shqipëri”.

“Kërcënimi me jetë i gazetarit, Julian Shota, sulmi me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares, Klodiana Lala dhe moszbulimi i autorëve të rrahjes barbare së gazetarit, Elvi Fundo, janë ngjarje tepër të rënda që na ftojnë të gjithëve, veçanërisht organet e sundimit të ligjit, të hetojnë me shpejtësi, transparencë, në mënyrë të plotë e shteruese, të venë para ligjit këdo që qëndron pas tyre dhe të punojnë maksimalisht për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen. Mosndëshkimi i krimeve kundër gazetarëve duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”

Presidenti Ilir Meta

Përveç rastit të Shotës, Meta tha se është shqetësuese që në vetëm dy vitet e fundit 12 gazetarë shqiptarë kanë kërkuar azil në BE.

“Raportimet se në dy vitet e fundit, të paktën 12 gazetarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së dhe SHBA për shkak të rreziqeve të punës, ndërsa 34 të tjerë kanë kërkuar shtetësi në vende të tjera, janë tronditëse. Ndaj e nënvizoj se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”

Presidenti Ilir Meta

Ndonëse u shoqërua në polici  'i forti' i Laçit është akuzuar vetëm për veprën penale "Kanosje për shkak të deyrës" dhe jo për armëmbajte pa leje. Madje që një ditë më parë ai u la i lirë. Nuk dimë nëse është bërë për të lehtësuar pozitat e pronarit të lokalit, por policia e Kurbinit tha se në momentin që kishin shkuar në vendin ku ndodhi kërcënimi nuk kanë gjetur armë zjarri, apo ndonjë send tjetër të kundraligjshëm.

Kujtojmë që Llesh Buraku është një personazh i njohur për policinë. Tre vite më parë ai u arrestua pasi dhunoi një inspektor të Inspektoratit të Shëndetit Publik, gjatë inspektimit në lokalin e tij. Për dhunën e ushtruar nga një punonjësi të shtetit që po ushtronte detyrën, Buraku u "dënua" nga Gjykata vetëm me një gjobë prej 150 000 lekë të reja.

Kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë pas sulmit me armë zjarri ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala, në të cilën ndodheshin edhe dy vajzat e saj të mitura.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?