I frymëzuar nga dëshmitë e njerëzve që prekën vdekjen, inaugurohet vepra e artit në hyrje të QSUT! Artistja dhe vizitorët e parë rrëfejnë ‘Terminalin për Tiranën’

19 Mars, 16:20| Përditesimi: 20 Mars, 11:12

  • Share

Drita që ndriçoi hyrjen e Qendrës Spitalore "Nënë Tereza" mbrëmjen e kësaj të hëne, vjen prej instalacionit në formë tuneli të Karolina Halatek.  "Terminali për Tiranën", është një tjetër filiz i "Artit në hapësira publike" që i shtohet kryeqytetit.

“Ndihem shumë e prekur që njerëzit janë mbledhur këtu sot, dhe shpresoj që vepra të tërheq edhe vizitorë të tjerë të komunitetit dhe nga e gjithë Shqipëria. Jam entuziaste tek i shikoj që ecin brenda instalacionit, fotografohen dhe mbi të gjitha befasohen”, thotë artistja Karolina Halatek.

Ambienti i është përshtatur veprës, duke u propozuar si një kodër me bar natyror. I ngritur mbi peizazhin që e rrethon, tuneli me diametër 6 m X 3 m, që shndrin nga drita LED, i ndihmuar edhe nga panelet diellorë, aksesohet në të dy kahet . Adela Demetja ka kuruar veprën.

“Kjo vepër përmes dritës së brendshme, i jep kujtdo një ndjesi relaksuese, një moment pauze”, thotë kuratorja Adela Demetja.

Është një ftesë që artistja polake bën për të ndalur duke përjetuar një moment reflektimi në këtë hapësirë të shndritshme. Artistët Merita Selimi dhe Helidon Gjergji janë ndër vizitorët e parë.

“Është një veprat më minimaliste, por që jep një dritë shprese. E përgëoj artisten si dhe Ministrinë (tani Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit) për nismën, pasi Tirana, vendi ka nevojë për vepra në hapësira publike”, thotë artistja Merita Selimi Spahija.

Koncepti tërhoqi vëmendje, që prej prezantimit në 2016-ën në festivalin e artit 'Aufstiege' në Shtugart të Gjermanisë. Frymëzohet nga përvojat e njerëzve në prag të vdekjes, që tregojnë përballjen me një dritë rrezatuese, e pas kësaj shumica patën një kthesë në jetët e tyre.

“Dëshmitë e njerëzve që kanë përvojë me vdekjen janë të mahnitshme dhe thellësisht transformuese, jo thjesht për ta, por edhe për kë i dëgjon. Që në terma, eksperiencë me vdekjen, tregon që është një përvojë. Dhe unë dua që arti të përjetohet, të ndihet. Dua një art, që qëndron, që jep një gjendje të plotë, që pse jo,  ndryshon jetën, perspektivën, perceptimin. Dhe, emëruesi i përbashkët i këtyre dëshmive, ishte vlera e jetës, fakti që në momentin e vdekjes gjen përgjigje për kuptimin e jetës. Kështu që për mua kjo është çështja më interesante”, shprehet më tej Halatek.

'Fari' i shndritshëm i Halatek, që të udhëheq drejt kësaj eksperience sa artistike e shpirtërore, ngacmon emocionet e familjarëve që kanë humbur të dashurit e zemrës pranë këtij spitali.

“Unë e prita me shumë emocion këtë vepër, duke u njohur edhe më herët me përmbajtjen që ofronte. Kjo sepse në gusht mamaja ime ka ndërruar jetë në këtë spital dhe mu duk sikur do provoja pak nga ajo që kishte provuar nëna ime”, thotë Beslinda Rrugia, një prej vizitoreve të instalacionit.

“Terminali për Tiranën” është një nga 8 veprat fituese të projektit “Art në hapësira publike”. Skulptura e shndritshme e menaxhuar nga qendra bashkëkohore "Tirana Art Lab", është një punë kolektive, realizimit të së cilës iu bashkuan edhe kuratorja Adela Demetja, si dhe arkitektët Elian Stefa e Dea Buza.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?