Një grua është akuzuar për trafikim të kafshëve të egra pasi policia kolumbiane gjeti 130 bretkosa helmuese në valixhen e saj në aeroportin e Bogotas. Kafshët u gjetën në kuti të vogla filmike dhe ishin të dehidratuara dhe të stresuara, thanë zyrtarët.
Braziliania e cila ishte nisur për në Sao Paulo nëpërmjet Panamasë, tha se bretkosat i ishin dhënë si dhuratë nga një komunitet lokal në jug të Kolumbisë, raporton BBC.
Policia lokale tha se amfibët mund të arrijnë deri në 1,000 dollarë për copë. Sekretarja e Mjedisit në Bogota, Adriana Soto tha se gjoba për posedimin e një bretkose të tillë mund të arrijë në 56 milionë pesos (14,300 dollarë).
Bretkosat “Harlequin” të njohura gjithashtu si bretkosat me shigjetë helmuese (Oophaga histrionica), janë më të vogla se gishti i madh i njeriut.
Gjëndrat e tyre të lëkurës prodhojnë një helm shumë toksik, i cili në të kaluarën është përdorur nga njerëzit indigjenë për të veshur majat e shigjetave që përdornin për gjueti. Helmi i tyre është mjaft i fortë për të vrarë kafshë të vogla.