POGRADEC- Një 72-vjeçar ka rënë në pranga në Pogradec pasi në banesën e tij i është gjetur një automatik, një armë gjahu, dy karikatorë dhe municion luftarak. Burime për Report Tv bëjnë me dije se 72 vjeçari është identifikuar si Feridon Kuqo.
Pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij, Policia ka sekuestruar automatikun, armën e gjahut e municionin luftarak në cilësinë e provës materiale dhe si pasojë Kuqo është arrestuar.
Ndaj 72-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale "Armëmbajtja pa leje".
"Forcat e policisë, gjatë kontrollit të ushtruar i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, një armë gjahu teke, dy karikatorë automatiku dhe një sasi municioni luftarak, të cilat ky shtetas i posedonte pa leje. Në përfundim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. K., për veprën penale Armëmbajtja pa leje", shkruhet në njoftimin e Policisë.