Kapshticë-Policia kufitare e Kapshticës ka arrestuar babë e bir nga Tirana pasi i gjetën 56 kg kanabis në kamionin që po lëviznin. Të arrestuarit janë identifikuar si Dashmir Hamazaraj dhe Amanti Hamazaraj.
Ndërkohë në kërkim është shpallur edhe një 38 vjeçar i cili dyshohet se është bashkëpunëtor për trafikimin e lëndës narkotike.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se droga e gjetur në kamion kishte si destinacion Turqinë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës.
Babë e bir, 68 dhe 35 vjeç kanë deklaruar në polici se nuk kanë dijeni për sasinë e drogës të gjetur në kamionin.
Gjatë kontrollit në pjesën e tavanit të rimorkios efektivët e policisë gjetën 44 shufra metalike ku ishte fshehur edhe lënda narkotike.
"Gjatë operacionit u sekuestruan 56 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, kamioni ku ishte fshehur lënda narkotike dhe 1300 euro.
Në kuadër të operacionit u arrestuan shtetasit: D. H., 68 vjeç dhe A. H., 35 vjeç, banues në Tiranë (babë e bir).
Në PKK Kapështicë, në dalje të RSh-së, shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën policore, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, automjetin kamion me drejtues shtetasin A. H dhe pasagjer shtetasin D. H. Gjatë kontrollit, në pjesën e tavanit të rimorkios së kamionit u konstatuan të montuara 44 shufra metalike, në të cilat ishin fshehur sasi lënde narkotike cannabis sativa, me peshë totale 56 kilogramë.
Në vijim të veprimeve procedurale u shpall në kërkim shtetasi F. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet si posedues i lëndës narkotike dhe bashkëpunëtor në trafikimin e saj", informoi sot policia.
Operacioni u kodua 'Shufrat'.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Korçë, për veprime të mëtejshme.