Drejtorja e Klubit Shumësportësh Tirana, Deborah Keci ka kërkuar ndjesë për veprimin e saj në ndeshjen e dytë finale mes Tiranës dhe Besëlidhjes në basketboll për meshkuj. Keci ka marrë një nga fanellat e Tiranës dhe ia ka vendosur në kokë arbitrit (VIDEO), teksa në një reagim në kanalet e komunikimit ka sqaruar se gjithçka ka ardhur pas padrejtësive që sipas saj i janë bërë ekipit të basketbollit bardheblu.
"Në sport, emocionet luajnë një rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm për sportistin, por edhe për të gjithë ata që janë të përfshirë. Emocionet gjenerohen nga aktiviteti sportiv dhe nga ana tjetër mund të ndikojnë si tek sportistet, trajneret dhe drejtuesit e ekipeve. Si ish sportiste qe vazhdoj akoma te ushtroj aktivitet sportiv dhe te ndjej akoma emocione dhe kenaqesi nga sporti, si drejtuese e nje ekipi me emer në historinë e sportit shqiptar, është shumë e veshtirë të pranosh në heshtje dhe me kenaqesi nje padrejtesi qe i behet mundit dhe djerses se sportisteve dhe pasionit te tyre. Kush ka qene sportist kupton dhe ndjesine nga padrejtesia, kush vazhdon ndjek sportin nëpër botë, shikon dhe reagimet e sportisteve, trajnereve dhe drejtoreve ekzekutiv. Por, në cilësinë e Drejtoreshës Ekzekutive, ju kërkoj ndjesë sportdashësve të pranishëm dhe shikuesve", thuhet në reagimin e Deborah Kecit.
Tirana humbi edhe finalen e dytë kundër Besëlidhjes, teksa ka në dorë që të shtyjë ose të përmbysë fitoren e lezhianëve, që me një tjetër fitore do shpalleshin kampion në basketboll për meshkuj.