I humbur prej dy ditësh, 14-vjeçari gjendet i mbytur në liqenin e Farkës, shoku nuk tregoi ngjarjen (VIDEO EKSKLUZIVE NË EMISIONIN 112)

5 Shtator 2020, 10:33| Përditesimi: 5 Shtator 2020, 11:08

  • Share

TIRANË - Një djalë 14-vjeçar i komunitetit rom është gjetur i mbytur mëngjesin e kësaj të shtune në Liqenin e Farkës. 

14-vjeçari ishte zhdukur prej paradites së të enjte ndërsa familjarët kishin bërë denoncim në polici. 

Kamerat e sigurisë të disa bizneseve pranë zonës ku banon e kanë filmuar teksa ka qenë me një shok moshatar. 

Vetëm mbrëmjen e djeshme shoku moshatar ka treguar se 14-vjeçari ishte mbytur në liqenin e Farkës ndërsa ai ishte trembur dhe nuk kishte treguar kur ndodhi ngjarja. 

Emisioni 112 i realizuar nga gazetari Report TV Antonio Çakshiri, ka qenë me patrullat e policisë prej mbrëmjes së djeshme kur edhe kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupit të miturit nga polumbarët e RENEA-s. 

Pamjet ekskluzive janë të momenteve teksa polumbari I RENEA-s po kërkon në liqenin e Farkës për trupin e djalit ndërsa shoku moshatar tregon vendin ku e ka parë për herë të fundit. 
Ai tregon se u mundua ta ndihmonte por nuk ka mundur pasi nuk dinte not. 

Kërkimet kanë nisur nga ora 20:00 deri në 21:30 të së premtes por për shkak të errësirës nuk është bërë e mundur gjetja e trupit duke bërë që operacioni të shtyhej për mëngjesin e sotëm. 

Sot rreth orës 06:20 në momentet kur familjarët janë afruar pranë vendit ku 14-vjeçari ishte parë për herë të fundit kanë gjetur trupin duke pluskuar mbi ujë ndërsa në pak minuta kanë mbërritur edhe ekspertët e policisë. 

Hetimet për këtë ngjarje po vijojnë. 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?