Firmato apo imitim? Kjo pyetje do të marrë fund me projektligjin e ri të qeverisë dedikuar 'Markave Tregtare', jo vetëm veshjeve por të çfarëdo lloj produkti. Të gjithë tregtarët që imitojnë markat e njohura dhe i shesin si të ishin origjinale do të paditen nga pronarët e ligjshëm dhe do u sekuestrohet malli.
Projektligji i depozituar në Kuvend nga Këshilli i Ministrave synon të frenojnë imitimin e firmave me emër, kjo për shkak se tregtarët manipulues jo vetëm kanë dëmtuar interesat e pronarëve, por edhe kanë penalizuar qytetarët të cilët paguajnë çmim të lartë për një mall të imituar me cilësi të dobët.
“Tregu në Shqipëri po ndeshet çdo ditë e më shumë me konflikte midis markave të regjistruara më parë dhe që kanë një reputacion dhe emër të mirë në treg dhe përpjekjeve të personave të ndryshëm për të përdorur marka identike ose të ngjashme me markat e regjistruara më parë, me qëllim që të përfitojnë në kurriz të njohjes që markat e mëparshme kanë në publik dhe në treg, për shkak të cilësisë së mirë, reklamimit dhe promovimit të vazhdueshëm që pronarët e tyre bëjnë për to. Këto përpjekje negative përveçse dëmtojnë interesat ekonomike të pronarëve të markave me reputacion në treg, ato dëmtojnë dhe deformojnë gjithashtu tregun dhe interesat e konsumatorëve”, thuhet në relacion.
Gjithashtu përmes këtij projektligji u jepet e drejta pronarëve të markave që të ngrenë padi për imituesit e produkteve të tyre. Madje në nenin 87 thuhet se pronari i markës ka të drejtën edhe të kërkimit të dëmshpërblimit për dëmet që mund t’i jenë shkaktuar si rezultat i përdorimit të paautorizuar të markës së tij nga tregtare abuzivë.
Kurse në nenin 118 të projektligjit thuhet se pronarët mund të kërkojnë nisjen e hetimeve nga Drejtoria e Pronësisë Industriale kundrejt një pagese në rast se konstatojnë ngjashmëri të një marke tjetër me markën e tyre.
Projektligji me 135 nene ka të sqaruar edhe procedurën e që duhet të ndjekin subjektet për të regjistruar ‘markat tregtare’ vendase apo ndërkombëtare pranë Drejtorisë së Pronësisë Industriale, kundrejt një tarife që do të caktohet nga Këshilli i Ministrave. (neni 54) Licenca e një marke është 10 vjeçare dhe ajo mund të ripërtërihet me kërkesë të vetë pronarit
Komente
