Dy vogëlushët me origjinë shqiptare që gjetën vdekje nga dora e babait të tyre Flamur Rexha më 26 dhjetor në Gjermani, janë varrosur në Hamburg më 12 janar.
"Majlind dhe Gentian", shkruhej mbi pllakat e varrit të dy vogëlushëve, ndërsa mbiemri "Rexha" siç edhe kërkoi nëna e tyre nuk do t'i shoqëronte në "udhëtimin" e tyre të fundit. Madje në ceremoninë mortore nuk ishte i pranishëm asnjë familjar me mbiemrin Rexha (mbiemri i babait të djemve).
Për t'i dhënë "lamtumirën" e fundit Majlindit dhe Gentianit, të pranishëm më 12 janar kanë qenë shokët e klasës, ekipit të futbollit dhe familjarët e ngushtë.
Lajmin për varrimin e ka bërë me dije daja i fëmijëve për mediat kosovare, ndërsa tregoi se të pranishëm kanë qenë rreth 300 veta, duke theksuar se janë respektuar të gjitha masat anti-COVID.
Daja i djemve tregoi se me gjithë dhimbjen e saj e plagët në trup, mori pjesë edhe nëna e tyre, ndërsa shtoi se ishte e shoqëruar nga mjekët e spitalit.
Ngjarja tronditëse ka ndodhur një ditë përpara Krishtlindjes. Flamur Rexha vrau dy fëmijët e tij, plagosi gruan dhe më pas u vetëvra.