Abdyl Xhaja

Sociale

I jepet lamtumira e fundit ish- zëvendës kryeministrit dhe deputetit të PD Abdyl Xhaja

27 Korrik, 20:05| Përditesimi: 27 Korrik, 20:14

  • Share

Elbasani u përkul këtë të diel me respekt dhe dhimbje për të përcjellë për në banesën e fundit një prej bijve të tij më të shquar, Abdyl Xhajën, ish Zëvendëskryeministër i Shqipërisë dhe një prej figurave më të spikatura të politikës dhe ekonomisë shqiptare në fund të shekullit XX.

Në moshën 82-vjeçare, Xhaja u nda nga jeta, por jo nga kujtesa e një qyteti e një kombi që e njohu si profesionist të përkushtuar, vizionar në fushën e zhvillimit industrial dhe shtetar me integritet në vitet e vështira të tranzicionit.

Ceremonia e lamtumirës, e zhvilluar në qytetin e lindjes, mblodhi familjarë, miq, bashkëpunëtorë të dikurshëm, përfaqësues të jetës publike dhe qytetarë të thjeshtë që deshën të nderonin figurën e një njeriu që jetën ia kushtoi zhvillimit ekonomik dhe shërbimit publik.

Mes të pranishmëve ishin ish presidenti Bamir Topi, Kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja, deputetë e ish deputete etj. Fjalët e mbajtura në homazhe theksuan kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ngritjen dhe drejtimin e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, në politikat industriale dhe energjetike të viteve ’90, si dhe në përpjekjet për promovimin ndërkombëtar të potencialit ekonomik të Shqipërisë.

Si ministër dhe zëvendëskryeministër në disa qeveri të periudhës 1991–1997, Abdyl Xhaja ishte një zë i arsyes dhe një mendje strategjike në kohë të turbullta për vendin.Emocion të veçantë ngjalli kujtimi i nderimit të tij nga shteti i Oklahomës në SHBA me titullin “Qytetar Nderi”, si shenjë vlerësimi për angazhimin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe promovimin e Shqipërisë në botë. Pavarësisht tërheqjes nga jeta politike pas vitit 1997, Xhaja vijoi të kontribuonte në mënyrë aktive si këshilltar në fusha kyçe të ekonomisë dhe gjeologjisë, duke mbetur gjithnjë i lidhur me zhvillimet e vendit të tij.

Elbasani sot humbi një bir të shquar, por kujtimi dhe vepra e Abdyl Xhajës mbeten të gjalla si dëshmi e një jete të jetuar me përkushtim, dinjitet dhe vizion. Ai largohet fizikisht, por lë pas një trashëgimi që do të frymëzojë brezat që vijnë.

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?