Dimitar Kovaçevski me kryeministrin bullgar, Kiril Petko

I bllokoi dy vjet hapjen e negociatave me BE, Bullgaria bën një ‘fillimi të ri’ me Maqedoninë e Veriut

20 Janar 2022, 09:24| Përditesimi: 20 Janar 2022, 09:30

  • Share

Vetëm 200 kilometra i ndajnë kryeqytetet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nga njeri-tjetri, e megjithatë nevojiten më shumë se katër orë udhëtim nëpër rrugë me gunga dhe tepër durim për të shkuar nga Shkupi në Sofje. Të kokolepsur mes mosmarrëveshjeve të hidhura për shkak të historisë dhe identitetit, për më shumë se gjashtë dekada politikanë të të dy kampeve nuk menduan kurrë për të gjetur një zgjidhje për udhëtarët. Nuk ka pasur kurrë ndonjë hekurudhë ose fluturime të rregullta mes dy fqinjëve të Ballkanit.  

Por pasi zbriti në Shkup gjatë së martës (18.01), kryeministri bullgar Kiril Petkov premtoi se gjërat që s'janë bërë në 60 vjet, mund të realizohen brenda 60 ditësh. Në dy muaj, vetëm një reklamë ajrore mund të lidhte dy kryeqytetet. Ndërsa për hekurudhën duhet pritur fundi i një dekade, por homologu i Petkov, Dimitar Kovacevski, shpreson se Maqedonisë së Veriut s'do t'i duhet të presë kaq gjatë për çështjen e saj më të ngutshme – hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Kapitull i ri

Pas një përqafimi të ngrohtë para godinës qeveritare në Shkup dhe një dite të gjatë me biseda politike, Kovacevski dhe Petkov thanë se shpresojnë në hapjen e një kapitulli të ri, që pason marrëdhëniet e tensionuara, që kanë bllokuar përpjekjet e Shkupit për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në gjatë dy viteve të fundit.

Prej dekadash, fqinjët ballkanas kanë ngecur në mosmarrëveshjet e hidhura historike dhe Sofja kërkon që kompromisi të arrihet përpara se Maqedonia e Veriut të lejohet të hapë bisedimet për pranimin në BE. Qeveria e mëparshme bullgare e drejtuar nga Boyko Borisov, kërkonte që Maqedonia e Veriut të pranonte se kombi dhe gjuha maqedonase, janë bullgare. Ky ultimatum u refuzua nga Shkupi zyrtar, i cili tha se kjo binte ndesh me parimet europiane dhe të drejtat e vetëvendosjes.

Por në vizitën e tij të parë në Shkup, kryeministri bullgar Kiril Petkov u përpoq të zbuste tonet. "Jam shumë optimist se do të ketë zhvillime të reja në marrëdhëniet tona dhe mund t'iu siguroj se rezultatet do të jenë të dukshme çdo javë” – tha Petkov gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kovacevskin, i cili u betua si kryeministër i Maqedonisë së Veriut gjatë së hënës.

Paraardhësi i Kovacevskit në qeveri dhe në drejtimin e Partisë Social-Demokrate, Zoran Zaev, ia doli mbanë të zgjidhë konfliktin tjetër shumë-dekadësh me Greqinë, duke ndryshuar emrin e shtetit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut, por dështoi në gjendjen e një kompromisi me Sofjen.

Të dy kryeministrat e sapozgjedhur shpresojnë për një fillim të ri

"I premtuam njeri-tjetrit se do të përdorim energjitë e reja për të përmirësuar marrëdhëniet tona me respekt” – tha Kovacevski.

Në vend që të përqendroheshin posaçërisht tek mosmarrëveshjet e pazgjidhura të historisë, të dyja qeveritë ranë dakord që të zhvillonin një takim të përbashkët në Sofje javën e ardhshme dhe planifikuan ngritjen e grupeve të punës për bashkëpunime më të ngushta në çështjet ekonomike, tregtisë, arsimit, integrimit europian, kulturës dhe historisë.

Pranë një marrëveshjeje?

Qeveria e Shkupit bëri të parin hap drejt kompromisit, orë përpara vizitës së Petkovit, duke vënë në dijeni Kombet e Bashkuara se emri "Maqedonia e Veriut” dhe versioni i tij më i gjatë "Republika e Maqedonisë së Veriut” i referohet vetëm shtetit dhe jo një rajoni më të gjerë gjeografik. Deri tani Sofja ka pretenduar se versioni i shkurtër përfshin aspirata territoriale drejt Bullgarisë dhe rajonit të saj, "Maqedonia Pirin”.

"Po, ka shpresë, sepse më në fund ne dëgjuam fjalën magjike ‘kompromis'” – thotë Ivaylo Ditchev, analist politik dhe profesor i Antropologjisë Kulturore në universitetin e Sofjes në Bullgari. "Një nga kërkesat idiote të Bullgarisë ishte që të përdorej gjithmonë versioni i gjatë i emrit ‘Republika e Maqedonisë së Veriut'. Ata filluan më pas ta mënjanonin këtë pretendim, Shkupi deklaroi se nuk ka pretendime për përfshirje territoriale karshi rajonit të Pirinit dhe voila!”

Analisti politik maqedonas Saso Ordanoski parashikon një marrëveshje të mundshme në muajt e ardhshëm, i cili mund t'i hapte derën Shkupit për nisjen e procesit të aderimit në Bashkimin Europian, teksa vijon bisedimet me Sofjen në nivel dypalësh. Ai ia njeh këtë meritë "presionit ndërkombëtar në rritje” ndaj Sofjes.

Që nga çasti i parë kur Bullgaria vuri veton ndaj rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së në vitin 2019, diplomatë të ndryshëm amerikanë dhe nga shtetet anëtarë të BE-së kritikuan qëndrimin e Bullgarisë. Gjatë një vizite në Shqipëri gjatë së martës, ministrja gjermane e shtetit për Europën dhe Klimën, Anna Lührmann, tha se ka "sinjale pozitive” nga Bullgaria, duke ripërsëritur pozicionin e Berlinit zyrtar se negociatat e pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të hapen sa më parë. 

Presioni nacionalist

Sofja këmbëngul gjithashtu se pakica etnike bullgare në Maqedoninë e Veriut duhet të njihet me kushtetutë, si të gjitha pakicat e tjera në vend. Thuajse që tani nën presion të vazhdueshëm nacionalist nga partia opozitare e së djathtës VMRO-DPMNE dhe nga një lëvizje e vogël majtiste pro-ruse, qeverisë së Shkupit i mungon mazhoranca e nevojshme e 2/3 në parlament, për të përmbushur kërkesën bullgare.

"Nëse kjo marrëveshje do të arrihet, forcat nacionaliste në Maqedoninë e Veriut nuk do të jenë në gjendje ta ndalojnë këtë, por unë e parashikoj problemin tek vendi fqinj” – i tha Ordandoski DW. "Në vendin tonë ka pasur gjithmonë lëvizje që kanë si qëllim politikat që të kthejnë pas, por situata mund të jetë shumë më e vështirë në Bullgari” – theksoi ai.

Në Bullgari, kryeministri Petkov drejton një koalicion të përbërë nga katër parti politike dhe kundërshtohet nga të paktën dy prej tyre, përfshirë edhe presidentin Rumen Radev, kur vjen fjala tek një shtysë për arritje kompromisi me Maqedoninë e Veriut. Qëndrueshmëria e qeverisë së re mund të vihet në rrezik nëse Petkov pozicionohet më butësisht karshi Maqedonisë së Veriut. "Bullgaria është në një situatë të vështirë politike; në lojën dam kjo quhet lëvizje e detyruar, ku nuk ka mundësi të tjera veprimi për Petkov” – thotë Ditchev. "I uroj fat!”./ DW

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?