Gjykata e Kushtetuese

I ka mbaruar mandati që në 2017-n, Gjykata e Lartë rihap procedurat për zëvendësimin e Vitore Tushës

31 Janar 2022, 13:03| Përditesimi: 31 Janar 2022, 13:08

  • Share

Kryetares aktuale të Gjykatës Kushtetuese Vitore Tushës i ka mbaruar mandati si anëtare që në vitin 2017, por që sipas ligjit mund të qëndrojë në detyrë deri kur të zëvendësohet. Tërheqja e kandidates Zhaklina Peto bëri që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të ndërpriste në dhjetor vijimin e procedurave për plotësimin e vendit të lënë vakant prej saj pasi konstatoi se numri i kandidaturave për vendin vakant ka rënë nën tre.

Gjykata e Lartë ka rihapur sot procedurat për aplikimet për zëvendësimin e saj.  Kryetari i KED ka njoftuar më 23 dhjetor Gjykatën e Lartë se “në respektim të parimit të konkurrencës së përzgjedhjes së më të mirit”, është detyruar të pezullojë ecurinë e procesit për këtë vend vakant.

Në kushte të tilla, kryetari i Gjykatës së Lartë rishpall thirrjen për plotësimin e vendit vakant të krijuar nga mbarimi i mandatit të gjyqtarit Gjykatës Kushtetuese, për pjesën e mbetur të mandatit 9 vjeçar, që përfundon në muajin mars 2025.

Afati i pranimit të kërkesave të kandidatëve është 30 ditë nga data e publikimit të njoftimit. Pas përfundimit të këtij afati, Gjykata e Lartë i përcjell Këshillit të Emërimeve në Drejtësi  dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët për vlerësimin e kushteve dhe kritereve të emërimit të tyre në Gjykatën Kushtetuese.

Aktualisht Gjykata e Lartë ka 7 anëtarë, të ndarë në 3 Kolegje. Konkretisht në Kolegji Penal janë gjyqtarët Ilir Panda, Sandër Simoni, Albana Boksi, Klodian Kurushi, Sokol Binaj. Në Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë është caktuar vetëm Ervin Pupe dhe në Kolegjin Administrativ vetëm Sokol Sadushi.

Kujtojmë se nëse në Gjykatën e Lartë nuk plotësohet kuorumi për të zhvilluar një mbledhje të vlefshme për zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.  Gjykata e Lartë duhet të ketë 17 anëtarë dhe për ta bërë një mbledhje të vlefshme për zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses duhet të marrin pjesë 3/4 e anëtarëve pra mbi 13 anëtarë.

 

Kriteret dhe kushtet e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese

1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:

a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;

c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;

ç) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;

d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

2. Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

a) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;

b) të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;

c) të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

 

Procedura e zgjedhjes nga Gjykata e Lartë të tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

1. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, sipas këtij ligji, njofton për vendin vakant Kryetarin e Gjykatës së Lartë, i cili shpall në mjetet e informimit publik dhe në faqen zyrtare të internetit hapjen e procedurës së aplikimit. Kryetari i Gjykatës së Lartë pranon kandidaturat brenda 30 ditëve nga njoftimi, i bën ato publike dhe ia dërgon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

2. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve rendit kandidatët dhe i paraqet Kryetarit të Gjykatës së Lartë raportin e miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve, bashkë me listën dhe dokumentacionin shoqërues, për çdo kandidat. Raporti i arsyetuar, pasi miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, publikohet.

3. Kryetari i Gjykatës së Lartë thërret mbledhjen e posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Mbledhja është e vlefshme nëse marrin pjesë jo më pak se tre të katërtat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Lista me kandidatët u bëhet e njohur më parë të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje.

4. Për çdo vend vakant votohet për secilin nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Kandidati që merr tri të pestat e votave të gjyqtarëve të pranishëm shpallet i zgjedhur. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i zgjedhur.

5. Emri i gjyqtarit të zgjedhur i njoftohet menjëherë Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?