Është vetëm 28 vjeç, por kapiteni i Spartës së Pragës, Filip Panak e di se çfarë do të thotë të fitosh një ndeshje kur kundërshtar ke vdekjen. Bëhet fjalë për katër vitet më të vështira për të, nga 2018 - 2022.
Pjesë e Spartës së Pragës prej 2019, dëmtimi në gju po e mundonte Panak. Në një moment, mëlçia dhe veshkat e tij po dështonin dhe në vend që të përpiqej të luante përsëri futboll, ai po luftonte për jetën.
Sipas gazetës çeke "TN", pas operacionit në gju gjatë asaj kohe, ai pati një shqetësim të veshkave, që me gjasë po shkonin drejt mosfunksionimit. "Në fazën e parë pas operacionit të parë, pata një inflamacion në gju dhe veshkat e mia po dështonin.
Kam kaluar javë në spital duke luftuar dhe dy javë të tjera në ortopedi, duke u pastruar pas operacionit. Në atë moment nuk flitej për futboll apo sport, por për jetën time.
Unë shkova në dializë, po më vdiste edhe mëlçia. Në atë moment bëhej fjalë se si të shpëtoja jetën", thotë 28-vjeçari.
Me ndihmën e miqve dhe familjes, si dhe mjekëve, Panak mundi të rikuperohej nga situata më e ulët e karrierës së tij.
Këtë të mërkurë, Sparta e Pragës fitoi 3-0 kundër Salzburg në Champions League dhe pas 21 vitesh merr një fitore në këtë nivel të futbollit, me Panak që u shpall "Njeriu i Ndeshjes". Golin e tretë dhe të qetësisë e shënoi Qazim Laçi, mesfushori i Kombëtares.