Partizani-Teuta, sfida e prapambetur e Superligës që nga java e parë, është mbyllur pa fitues por me shifrat 1-1. Fillimisht në Niko Dovana realizuan ‘djemtë e detit’, ndërsa në pjesën e dytë e realizoi Albers Keko, i cili edhe njëherë i dha pikë skuadrës së tij. Megjithatë për Partizanin ky ishte barazimi i katërt rradhazi.
“Patëm rastet tonë në pjesën e dytë për ta përmbysur rezultatin dhe ta fitonim, sepse kishim ardhur për të fituar, por ky është futbolli. Kur nuk arrin të konkretizosh rastet edhe një barazim të kënaq sepse në fund të fundit ishim jashtë dhe nuk luajtëm në fushën tonë,”-tha Arbër Abilaliaj, trajner i Partizanit.
I pyetur nga Report TV, nëse e shqetëson diferenca prej 3 pikësh me Egnatian kryesuese, Abilaliaj përgjigjet:
“Nuk është se kjo na shqetëson sepse ka dhe shumë ndeshje. Mundohemi që të arrijmë formën më të mirë dhe të rikuperojmë futbollistët e dëmtuar. Duhet të sistemojmë anën mbrojtëse, që ka qenë arma jonë më e fortë deri ne këto moment,”-u shpreh Arbër Abilaliaj, trajner i Partizanit.
Te Teuta janë të kënaqur me lojë, por e kundërta me rezultatin.
“Jam i mërzitur për dy pikë që humbëm sepse e merituam fitoren pavarësisht se nuk ia dolëm. Megjithatë në fund edhe mund ta humbisnim ndeshjen. Më vjen keq për futbollistët se bënë një ndeshje të mirë, por me pak kujdes duhet të fitonim sot,”-deklaroi Edi Martini, trajner i Teutës.
Ky barazim e lë Teutën në vendin e fundit, me 2 pikë më pak se Erzeni i vendit të nëntë.
“Pavarësisht se jemi të fundit unë nuk e shoh Teutën të fundit. Jemi po aty të gjithë ekipet. Diferenca është 3-4 pikë maksimumi për vendin e katërt. E shoh kampionatin shumë të mundshëm për çdo vend në tabelë,”-tha Edi Martini, trajner i Teutës.
Si Partizani ashtu edhe Teuta sfidat e rradhës për javën e 16 në Superligë do ti luajnë të hënën.