Për kreun e PD-së në Fier, i cili është i katërti në listën e kandidatëve të koalicionit 'PD-Aleanca për Ndryshim' në këtë qark, Luan Baçi pritja e Lulzim Bashës doli nga kontrolli. Në një intervistë për Report Tv, Baçi thotë se kur Basha ishte për vizitë në Fier dhe pati një masivitet qytetarësh dhe nuk u respektuan masat antiCOVID.
"Për këtë ndoshta ndihem edhe pak përgjegjës si drejtues i degës së Fierit", tha ai.
Luan Baçi thotë se Fieri nuk është një bastion i majtë dhe se më 25 prill do t'i japë një mësim Rilindjes sipas tij.
Përshëndetje! Ju si Parti Demokratike keni një slogan: "Era e ndryshimit po vjen”. Gjithashtu edhe në Fier ky slogan duket se është i përhapur gjerësisht. Ku bazoheni ju që në Fier i thoni elektoratit tuaj që do të kemi kryeministër të ardhshëm Lulzim Bashën.
Ju falënderoj për ftesën për intervistë dhe për pyetjen që më adresoni. Po, është e vërtetë që Fieri është në fushatë, si e gjithë Shqipëria. Normalisht në fushatë kemi qenë për vite të tëra tashmë për arsye të opozitës së fuqishme që kemi bërë ndër këto vite. Sa për pyetjen tuaj se ku e bazojmë entuziazmin tonë apo besimin tonë për fitoren e nesërme me kryeministër Lulzim Bashën, absolutisht është më se e vërtetë dhe këtë e tregojnë vetë faktet, qytetarët e Fierit që janë që të gjithë mbështetës tashmë, do të thosha, të PD-së. dhe kur e them që janë mbështetës të PD-së dhe do të marrin pjesë masivisht në votime, e mbështes në të gjitha takimet që ne kemi zhvilluar, takime të njëpasnjëshme, takime në çdo lagje, takime nëpër fshatra, në zonat rurale, takime në rrugë, takime nëpër njësitë tregtare, absolutisht takime ku kemi marrë mbështetje nga mbarë qytetarët. Dhe këtë e vërtetojnë edhe shumë fakte të tjera, pasi ka shumë qytetarë që janë jo votues të PD-së, jo votues absolutisht, madje anëtarë të PS-së, të zhgënjyer, të mërzitur. Për këtë më lejoni t’ju sjell faktin e disa ditëve më parë, kur kryetari Basha ishte për një vizitë në Fier dhe patëm jo vetëm një masivitet qytetarësh që dolën për ta pritur dhe për ta mbështetur, jashtë protokollit tonë, për hir të së vërtetës, për arsye se ne nuk kishim njoftuar njeri duke kërkuar që të ruajmë masat antiCOVID dhe ishte përcaktuar një agjendë e kryetarit Basha për të bërë vizita nëpër biznese, i shoqëruar nga pak persona që ishim ne, kandidatët për deputetë, doli jashtë kontrollit dhe për këtë ndoshta ndihem edhe pak përgjegjës si drejtues i degës së Fierit. Por ishte e pamundur që të ndaloheshin qytetarët dhe këtu mund të përmend rastin e një zonjushe rreth 25 vjeçe, që i doli përpara kryetarit Basha dhe u shpreh hapur publikisht se ishte një anëtare e PS-së, e zhgënjyer, e terrorizuar nga sjellja e tyre dhe absolutisht do të jetë një votuese, me gjithë familjen e saj, për PD-në dhe për kryeministrin Basha. E solla si shembull këtë fakt për arsye që, për t’iu përgjigjur edhe pyetjes suaj se ku e mbështesim ne këtë optimizëm apo këtë slogan me të cilin ne kemi dalë përpara qytetarëve fierakë. Por kjo nuk është e vetme. Në çdo takim që ne bëjmë, në çdo bisedë që ne bëjmë, janë të shumtë qytetarët me bindje të majta, votues historikë të majtë madje, duke mos lënë pasdore këtu të rinjtë që nuk duan t’ia dinë fare më për këtë qeveri, për arsye se janë vërtet të zhgënjyer, janë vërtet të pashpresë duke parë politikën e kësaj qeverie me të rinjtë fierakë dhe shqiptarë në përgjithësi. Nisur nga të gjitha këto, absolutisht ne vazhdojmë fushatën, do të vazhdojmë çdo ditë, nuk e ulim tempin. Kjo nuk na ndikon që duke parë një klimë të tillë të favorshme për PD-në, ne do të jemi gjithmonë, çdo ditë në kontakt me qytetarët, në menaxhim të kësaj situate të krijuar dhe pse jo, për të hequr njëherë e mirë edhe atë idenë e krijuar, ose do të thosha jo e krijuar, por është më shumë e stisur nga vetë rilindësit se Fieri është një bastion i majtë, se qytetarët fierakë sido që të sillen me ta, sido që t’ua bëjnë, çfarëdolloj padrejtësie që t’u bëhet, ata vazhdojnë të votojnë pa kushte këta që janë sot në qeverisje. Jo, kjo nuk ndodh më, qytetarët fierakë nuk janë dele. Unë e kam thënë shpeshherë, janë vërtet qytetarë, njerëz me inteligjencë të lartë, njerëz që dinë të gjykojnë të drejtën nga e gabuara, njerëz që dinë të ndajnë të mirën nga e keqja, njerëz që kanë parë dhe shikojnë çdo ditë keqqeverisjen dhe nuk është se ka qenë një keqqeverisje vetëm për demokratët apo vetëm për votuesit e PD-së, por ka qenë një keqqeverisje për pjesën dërrmuese të shqiptarëve. Veçojmë këtu vetëm atë pjesën e militantëve të thekur, atë pjesën e socialistëve rilindës të mbledhur rreth drejtuesve të institucioneve, me lidhje nepotike familjare, që vazhdojnë të këmbëngulin fort për mandatin e tretë. Besoj dhe shpresoj, jam i sigurt në këtë që edhe Fieri këtë radhë do t’i japë një mësim të mirë Rilindjes për ta kaluar në opozitë dhe për t’i rikthyer pse jo, ato një milion shuplakat që përmendte Edi Rama më 2013, pavarësisht se si i dha, duhet t’i marrë mbrapsht dhe do t’i marrë mbrapsht.
Zoti Luan, ju thatë që PD-ja në Fier do të fitojë. Pse elektorati i Fierit do t’ia japë votën PD-së, ndërkohë që Fieri ka pësuar shumë ndryshime.
Për pyetjen që më drejtuat, se pse duhet të reagojnë qytetarët fierakë, kur në fakt shikojmë ndryshim në Fier nga pushteti lokal dhe nga pushteti qendror. Është më se e vërtetë, ndryshimi në Fier është i dukshëm nga ndërhyrjet që ka bërë pushteti lokal dhe pushteti qendror, por është një ndryshim fasade dhe një ndryshim i bërë enkas më shumë për të përfituar sesa për të investuar për qytetarët fierakë. Dhe këtë nuk e them për politikë. Nuk e them për të bërë diversion. Nuk dua absolutisht aspak që të hyj në atë te njerëzit që kundërshtojnë çdo gjë dhe mohojnë çdo gjë. Jo, janë bërë përpjekje. Janë bërë përpjekje të konsiderueshme që edhe Fieri të ketë një tjetër pamje. Më vjen keq, por duhet ta them që pamja që është krijuar në qendër të qytetit të Fierit është një pamje e krijuar vetëm në qendër të qytetit të Fierit. Të gjithë qytetarët fierakë e kontestojnë fuqishëm mënyrën sesi është investuar. Flitet se janë rreth 40 milionë euro të hedhura në këto vite në qytetin e Fierit dhe në këto 40 milionë euro të hedhura në qendër të qytetit, ku shikojmë lyerje fasadash dhe lyerje fasadash, kjo është e dukshme dhe unë nuk kam pse them gjëra që nuk qëndrojnë. Këto mund të verifikohen shumë kollaj edhe nga televizioni juaj i nderuar, në qoftë se do ta quanim kështu dhe të mbante njëfarë drejtësie. Fasadat që janë lyer mbi suvatë e vjetra dhe shpeshherë ka vende ku copat e suvatimeve bien në masë, në mes të trotuarit, dhe kjo tregon atë dështim të kësaj politike dhe të këtij investimi. Duke mos lënë pas dore këtu pastrimin e lumit Gjanica dhe të gjithë propagandën që është bërë për pastrimin e këtij lumi, dhe po të vëmë re duke filluar nga këtu ku jemi, ku janë zyrat e PD-së së Fierit dhe deri në dalje të Fierit, ka një pastrim, rregullim dhe një shtrim me beton dhe pjesët e tjera të dyta, janë absolutisht më keq se ç’kanë qenë vite më parë. Këtë e sjellim edhe me një fakt të para disa javëve, ku ka pasur një ditë pak shira dhe lumi Gjanica, jemi dëshmitarë vetë, nuk e di televizioni juaj e ka marrë apo nuk e ka marrë si pamje, por lumi Gjanica, po këtu në qendër të qytetit të Fierit, doli mbi nivelin dhe mbi shtratin e tij, gati të dilte në trotuaret që ka bërë Bashkia. Pra, investime të bëra në mënyrë jo transparente, para e shumtë e hedhur në qytetin e Fierit, por aspak që të jenë efiçente dhe paratë janë të taksapaguesve shqiptarë, nuk janë para që i ka hedhur pushteti lokal apo drejtuesi i pushtetit lokal nga xhepi i vet apo pushteti qendror apo drejtuesi i pushtetit qendror nga xhepi i vet. Janë para të taksapaguesve shqiptarë. Duke qenë se Fieri, dhe ne jemi dëshmitarë këtu, banorë të Fierit, nuk kemi të rregulluar ujin e pijshëm, nuk kemi ujë të pijshëm 24 orë, përveç propagandës që ata bëjnë se uji është i siguruar. Nuk është aspak e vërtetë dhe unë këtë e them me plot bindje, jam banor i qytetit të Fierit, banoj në katin e dytë të një pallati dhe absolutisht jam me pompë dhe me depozitë. Kështu janë edhe banorët e tjerë, komshinj të hyrjeve të mia apo edhe më gjerë. duke mos lënë pas dore këtu dhe duke mos harruar lagjet periferike të Foerit. Dhe kur them lagje periferike, jo lagje shumë periferike, por lagjet pasi del nga qendra e Fierit, janë të gjitha rrugicat pa ndriçim, janë rrugica me gropa, janë rrugica që kanë problematika në kalimin e mjeteve dhe të këmbësorëve. Duke mos harruar asnjëherë disa nga lagjet e qytetit të Fierit, siç është lagjja “Afrimi i ri” apo edhe të tjera që janë akoma me gropa septike. Pra nuk ka mbaruar sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza, atëherë si mund ta quajmë një investim të mençur, një investim në të mirë të qytetarëve 40 milionë lekë të hedhura në qendër të qytetit të Fierit, kur në një kohë kemi akoma gropa septike në qyteti, kemi ujin e pijshëm jo 24 orë, kemi ndriçime në të gjitha rrugët dhe lagjet periferike të qytetit të pabëra, problematika nga më të shumtat. Duke mos harruar këtu, problemet me zonat rurale. Kur flasim për qytetin dhe kemi gjithë këto probleme, zonat rurale ish-komuna të kthyera sot në njësi vendore janë vërtet tmerrësisht keq. Janë të harruara, janë të lëna pasdore dhe absolutisht nuk është bërë asnjë lloj investimi. Investimet që kanë filluar t’i bëjnë tani, investimet paraelektorale, investime të turpshme dhe të dënueshme, janë investime për t’u hedhur hi syve qytetarëve, disa investime që vërtet janë për të ardhur keq. Shpeshherë ne kemi denoncuar në media dhe në rrjetet sociale veprimet e këtyre drejtuesve tani në fushatë, kur kanë hapur një fushatë shumë të egër në të gjitha drejtimet. Përveç investimeve elektorale që ata bëjnë, investime që janë absolutisht të dënueshme, që ne i kemi denoncuar por këtu nuk funksionon shteti, pasi edhe Prokuroria është akoma nën influencën e pushtetit dhe të Edi Ramës, janë problematikat e tjera të shumta, do të thosha unë, në këtë fushatë elektorale që kanë filluar, problematika siç kanë punësimet e padrejta, punësimet e paligjshme që bëhen nga institucionet përkatëse në kuadrin e fushatës elektorale. Duke parë padrejtësitë e tyre në këtë fushatë elektorale, duke parë punësimet e paligjshme, po marr hembull këtu Albpetrolin ku janë bërë mbi 600-700 punësime të paprogramuara, punësime të paligjshme, dhe thjesht dhe vetëm për të marrë vota para zgjedhjeve. Midis të punësuarve të tyre, që kanë marrë, dhe ne kemi marrë një informacion të plotë, të saktë, me emra dhe me mbiemra, që janë militantë të tyre dhe njerëz të zhgënjyer që pranojnë të shkojnë 2-3 muaj në punë, midis tyre ka edhe pensionistë që janë marrë në punë dhe paguhen me një pagë ekstra, me kontrata të përkohshme, thjesht si këshilltarë që nuk e di se kujt i hyjnë në punë këto këshillime në Albpetrol, por janë thjesht dhe vetëm nga këta që i kanë zhgënjyer gjatë këtyre viteve dhe tani mundohen që t’i afrojnë me nga një punësim që u japin. Absolutisht edhe institucionet e tjera. Bashkia është kthyer në një çerdhe korrupsioni dhe punësimi të militantëve, Drejtoria e Gjelbërim-Pastrimit, një drejtor e krijuar enkas për të vjedhur dhe për të punësuar njerëz, pra një drejtori që shërbimet i bën vetë tashmë dhe nuk merret fare që të merret me tendera apo t’i bëjë me procedura të hapura blerjet apo punët, por bënë një drejtori që menaxhohet nga kryetari i Bashkisë, firmos dhe vulos vetë dhe është jashtë kontrollit. Pra të gjitha këto janë problematika që në pamje të parë, në dukje, ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve për votat që do të thithin ata. Por, nga takimet që kemi me qytetarët, nga takimet që kemi edhe me të punësuar që janë marrë tani, e kuptojnë që shërbimi që u kryejnë, punësimi që u ofrojnë. Investimet që u ofrojnë nëpër rrugë apo afër shtëpive të tyre, janë për t’u hedhur hi syve dhe absolutisht nuk janë të besueshëm më te qytetarët fierakë. Ja pra, këtu ne e mbështesim një pjesë të punës sonë, te gënjeshtrat e tyre dhe tek ajo çka u ofrojmë ne, jashtë gënjeshtrave të tyre, premtime me këmbë në tokë. Dhe po të vini re, kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë Lulzim Basha, nuk përdor fjalën premtim, por përdor fjalën angazhim dhe angazhimi është krejt ndryshe nga fjala premtim. Pra, angazhohet për të realizuar programin e PD-së, një program i mirëhartuar nga ekspertë kombëtarë dhe me konsulencën e të huajve, dhe kemi një Rilindje që absolutisht është pa program, pasi pa program ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara. Në fakt në zgjedhjet e kaluara kishte një program, se kishte timonin, tepsinë, tiganin, ndërsa tani ka vetëm një program: e kam mandatin në mes, mandatin e dytë, më duhet mandati i tretë se duhet ta realizoj, më ndërpreu në mes tërmeti dhe pandemia e covid-19, pra një kryeministër qaraman, një kryeministër sharlatan, që me batuta, me humor dhe nganjëherë edhe me presione dhe shantazhe, kërkon një mandat të tretë. Ndërsa PD-ja, Lulzim Basha, është një tjetër format. Nuk mund të krahasosh kryeministër Lulzim Bashën me kryeministër Edi Ramën. Si mund të krahasosh një kryeministër me batuta, një kryeministër banal në të folur, një kryeministër që arrin t’u flasë zonjave të nderuara me fjalorin më të rëndomtë të rrugës, dhe një kryeministër si Lulzim Basha që, që të gjithë e shikojnë për mënyrën se si sillet, si artikulon, si ka drejtuar dhe vazhdon të drejtojë opozitën dhe qeverinë e nesërme.
Thatë shumë gjëra interesante, të cilat sipas jush do të jenë fitore për partinë tuaj, sepse shumë ankesa të shumta, gjëra të parealizueshme kanë qenë, por sa kandidatë do të merrni?
Një pyetje që bëhet shpesh, një pyetje që në fund fare tregon vërtet punën e bërë gjatë këtyre viteve dhe kjo është finalja. Numri i mandateve tregon edhe punën që është bërë, tregon dhe çfarë do të kemi nesër ne për t’u dhënë qytetarëve. Unë e di mirë që pyetja juaj bëhet edhe nga shumë të tjerë dhe është krijuar ideja që Fieri, por edhe qarku në përgjithësi, një qark që mbështet të majtën, një qark i majtë që voton majtas, gjë që, e ripërsëris, nuk jam fare dakord në këtë drejtim se nuk është qark i majtë. Është një qark me qytetarë të lirë, me njerëz të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm, që ndoshta, në radhët e kaluara, ne si PD duhet ta gjejmë fajin te vetja, gabimin te vetja, ndoshta prezantimi ynë ka qenë jo i duhuri për qytetarët fierakë. Mendoj dhe e shpresoj fort këtë, që qytetarët fierakë do të dinë të reagojnë dhe të reflektojnë në bazë të asaj se çfarë kanë hequr e kanë parë gjatë këtyre 8 viteve, pse jo duke bërë edhe krahasimin me 8 vitet e qeverisjes së PD-së në shumë drejtime, pavarësisht problematikave që kanë pasur. Dhe në këtë drejtim unë jam i sigurt që do të reagojnë qytetarët fierakë në votime, absolutisht duke parë edhe listën e kandidatëve, një listë do të thosha përfaqësuese për qarkun e Fierit, për qytetin e Fierit edhe më gjerë, një listë që, pse jo, është ndikuese edhe puna e çdo kandidati në mënyrë të pavarur për të ndikuar te qytetarët për marrjen e votës dhe atë që thashë pak më parë, programi i qartë, i kthjellët i PD-së, një program me këmbë në tokë, i realizueshëm, që edhe vetë qytetarët e shikojnë që është një program që realizohet, i mbështetur mbi prova dhe jo një program me premtime boshe, të mëdha, ku thjesht për t’u prishur mendjen qytetarëve. E kishte shumë në dorë Lulzim Basha që të fliste e të thoshte: nuk do të hapim 110 mijë vende pune, por do të hapim 410 mijë vende pune, siç tha Edi Rama duke gënjyer. Por jo, tha 110 mijë vende pune do të jenë, duke e mirëprogramuar, duke hartuar dhe duke shpjeguar dhe mënyrën se si do të hapen këto vende pune. Duke mos harruar këtu pastaj të gjitha angazhimet e tjera, sidomos për fermerët shqiptarë, sidomos për bujqësinë, për subvencionet në bujqësi që është 100 milionë euro në vit për subvencionet në bujqësi, 50 milionë euro në vit për infrastrukturën bujqësore që është shumë e domosdoshme, dhe këtu mund të abuzonim, mund të abuzonte kryeministri i ardhshëm zoti Basha dhe thoshte që do të subvencionojmë 400 milionë euro në vit, por jo, 100 milionë euro në vit se kaq janë mundësitë e shtetit për të dhënë, por janë do të thosha, mjaftueshëm, bollshëm për të filluar punë mirë dhe për t’u dhënë frymëmarrje edhe fermerëve. Po kështu do të shtoja për biznesin në përgjithësi, për taksën e sheshtë 9%, që është e provuar që do t’i japë një frymëmarrje biznesit dhe kjo taksë e sheshtë 9% do t’i japë të drejtën biznesit të akumulojë më shumë para dhe ne dimë që biznesi kur akumulon para nuk i mban poshtë krevatit, por paratë hidhen gjithmonë në punë, shtohet biznesi, shtohet aktiviteti dhe për rrjedhojë, hapen vendet e punës. Po kështu për biznesin e vogël, që është nga pikat kyçe të ekonomisë, një biznes që e çoi në falimentim në këto 8 vite Edi Rama, dhe u kujtua në fund të 8 viteve të hidhte poshtë të gjithë atë propagandë të vetën për taksën progresive, për vendosjen e kasës së kuponave e për TVSH-në që e zbriti në 20 milionë lekë të vjetër dhe e futi të gjithë biznesin e vogël në TVSH, falimentoi të gjithë biznesin, mbyllën qepenat, u larguan të rinjtë, u larguan biznesmenët e vegjël, tregtarët. Një program i PD-së duke e çuar pragun në 140 milionë, do t’i japë frymëmarrje biznesit të vogël, duke i vënë një taksë 0,5% të xhiros dhe një kupon te xhami, ku inspektorët tatimorë, kontrollorë, hajdutë të kësaj qeverie nuk do të hyjnë dot më te biznesi i vogël për të bërë presionin e radhës, atëherë të gjitha këto me patjetër do të çojnë se s’bën në një zhvillim të mirë të ekonomisë, në një ngritje të mirëqenies së qytetarëve dhe hap pas hapi të bëhemi edhe ne si e gjithë Evropa.