Në sfidën miqësore të fituar 2-0 kundër Bullgarisë Sylvinho i dha çelësat e mesfushës Qazim Laçit, mesfushorit i cili aktivizohet te Sparta e Pragës dhe që ia shpërbleu trajnerit me gol. Për Report TV 27-vjeçari rrëfeu emocionet që përjetoi në Air Albania.
“Jam shumë i kënaqur për golin, por më shumë jam i kënaqur për ekipin, pasi është ekipi që të ndihmon për të shënuar gola,”-u shpreh Qazim Laçi, futbollist i kombëtares.
Ke folur me futbollistët e Çekisë pas fitores 3-1 dhe nëse po çfarë keni diskutuar?
“Kemi patur disa diskutime të vogla sepse siç kuptohet nuk ishin shumë të kënaqur. U thashë tani është rradha ime për të shkuar në Europian. Jo gjithmonë ju,”-tha Qazim Laçi, futbollist i kombëtares.
Të tjerë futbollistë, përfshirë edhe autorin e golit të dytë Ernest Muçi, treguan sekretin e fitores me Bullgarinë, që mungonte prej 73 vitesh.
“E marrim këtë si energji për ndeshjet e nëntorit dhe jemi shumë të motivuar për të shkuar në Europian. Kurajo shumë e madhe nga tifozët. Jam shumë krenar që arrita të shënoj dhe i falenderoj shumë,”-deklaroi Ernest Muçi, futbollist i kombëtares.
“Besoj se paraqitja e skuadrës ishte shumë e mirë. Nuk dallohej nëse ishte miqësore apo ndeshje zyrtare,”-tha Mario Mitaj, futbollist i kombëtares.
“Nuk e kemi parë si ndeshje miqësore, por si kualifikuese. Ndaj edhe fituam,”-u shpreh Arbnor Muja, futbollist i kombëtares.
“Mendoj se bëra një punë shumë të mirë. Djemtë më përgëzuan, ashtu si edhe Sylvinho. E rëndësishme është që ekipi fitoj ndërsa përsa i përket golave do vijnë edhe ato. Ndoshta në Europian,”-deklaroi Myrto Uzuni, futbollist i kombëtares.
“Jemi të gjithë të lumtur saherë vijmë këtu. Jemi konkurentë në fushë, por nuk ndjehemi si të tillë,”-tha Arlind Ajeti, futbollist i kombëtares.
Edhe këtë sfidë me Bullgarinë nuk mungoi supergoli, që është kthyer në një detaj të zakonshëm për kuqezinjtë.
“Është një karakteristë shumë e bukur e futbollistëve dhe nuk ka ndonjë sekret. Kemi lojtarë të cilët mund të bëjnë goditje fantastike nga distanca dhe ndonjëherë është e çmendur kjo. Nuk është vetëm Asani, Muçi apo Bajrami. Gjithsesi mua më pëlqen më shumë të flas për grupin,”-deklaroi Sylvinho, trajner i kombëtares.