Tirane- Gjykata e Posaçme la në burg Henerigert Mitrin, ish-drejtorin e Policisë Lezhë në hetim në kuadër të operacionit “Revanshi”. Së bashku me avokatin e tij nuk dhanë sqarime në gjykatë pasi kërkuan të njihen me dosjen, ndërsa lajmëruan se do të apelojnë vendimin në Apelin e GJKKO-së.
Në bisedat në sky ecc Mitri del se u linte rrugë të lirë kultivuesve të kanabisit të mbushnin parcelat. Ai u vetëdorëzua më 11 shtator 2024, pas 4 muajve kërkim.
Si dekonspiroi operacionet e ‘Guardia di Finanza’?
Si drejtues i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri ishte i pari që merrte informacion nga Guardia di Finanza të kontrolleve nga ajri, me koordinata të përcaktuara saktë, urdhra të cilët firmoseshin pikërisht nga ai. Por para sa të bënte detyrën si funksionar i lartë i policisë së shtetit, ai komunikonte me vartësin e tij, shefin e Antidrogës, Klodian Shahini, të cilin e pyeste ku janë parcelat e mbjella me kanabis nga bashkëpunëtorët dhe nëse përkonin me koordinatat ku do të fluturonte GdF, njoftoheshin trafikantët, të cilët merrnin masat.
Në këtë skemë, Mitri dhe Shahini ishin së bashku, ndërsa bashkëpunëtor i tyre i ngushtë ishte Elson Reçi, i fisit të Reçëve të Rrëshenit apo edhe për parcela të tjerë në zonën e Mirditës. Por, me gjithë përpjekjet për të mos lejuar kontrollet anti-kanabis, Mitri dhe Shahini nuk ia dalin do të mbrojnë parcelat dhe njerëzit e tyre.
Mitri po ashtu mbylli sytë për një kazino të biznesmenit Pëllumb Gjoka, i arrestuar më parë në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, të cilën e kishte në Lezhë dhe që e mbante jashtë rregullave të ligjit. Por, kur oficeri i krimit ekonomik, Gentian Ndoji, i futet në kazino, arreston menaxherin dhe sekuestron kompjuterët, për Henerigert Mitrin, që kishte dalë garant mbi ecurinë e biznesit, dalin probleme.
Gjatë operacionit ‘Revanshi’ falë hetimeve të SPAK dhe Policisë së Shtetit u firmosën 50 urdhër-arreste për bosë të krimit brenda dhe jashtë vendit ku u goditën 7 grupe kriminale dhe u zbardhën disa ngjarje të rëndë të viteve të fundit.