Gjashtë drejtues automjetesh janë gjobitur nga policia e Elbasanit, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor në akset "Elbasan- Librazhd"; "Elbasan-Peqin" dhe autostradën "Tiranë-Elbasan".
Policia e Elbasanit, bën me dije se nga publikimi në rrjetet sociale të automjeteve që shkelnin rregullat e qarkullimit rrugor, dy prej tyre janë gjobitur me 10 mijë lekë, ndërsa katër të tjerë me masën adiministrative 80 mijë lekë të reja.
Ndërsa një nga drejtuesit është gjobitur edhe me 5 mijë lekë, pasi nuk ka respektuar sinjalistikën rrugore dhe ka kryer parakalim të gabuar
"Në lidhje me 3 video të postuara në rrjete sociale, në të cilat shfaqen 6 automjete që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, bëjmë me dije se:
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kanë kryer veprimet verifikuese dhe kanë ndëshkuar me masa administrative drejtuesit e automjeteve, si më poshtë:
Është ndëshkuar me masë administrative 10 000 lekë, bazuar në pikat 10 dhe 16 të nenit 146 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit që ka kryer parakalim të gabuar, në aksin "Elbasan- Librazhd";
Është ndëshkuar me masë administrative 10 000 lekë, bazuar në pikat 10 dhe 16 të nenit 146 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit që ka kryer parakalim të gabuar, në aksin rrugor "Elbasan-Peqin".
Për sa i përket 4 drejtuesve të automjeteve që kanë kryer shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, në autostradën "Tiranë-Elbasan":
- janë ndëshkuar secili me masë administrative 80 000 lekë dhe me zbritje të 15 pikëve nga leja e drejtimit, bazuar në pikën 3 të nenit 175 të Kodit Rrugor, 3 shtetasit që kanë ndjekur nga pas me automjetet e tyre, ambulancën, e cila është ka përdorur mjetet e sinjalizimit pamor dhe zanor, për të shfrytëzuar përparësinë e lëvizjes;
- është ndëshkuar me masë administrative 5 000 lekë, bazuar në pikën 2 të nenit 144 dhe në pikën 15 të nenit 146 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit që nuk ka respektuar sinjalistikën rrugore dhe ka kryer parakalim të gabuar.", njoftoi policia e Elbasanit.
Komente
