I mbijetoi tritolit të vendosur në banesë ku qëndronte me familje, sulmeve të shumta politike, por nuk mund të mposhte virusin e pabesë COVID-19.
COVID-19 i ka marrë jetën në moshën 72-vjeçare gazetares Zenepe Luka, e cila ishte e shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë, për shkak të gjendjes së rëndë që i kishte shkaktuar virusi.
Pak kohë më parë bashkëshorti i saj kishte mposhtur COVID, por duket se vetë gazetarja nuk ka mundur të fitojë betejën e saj.
Zenepe Luka është një emër shumë i njohur, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por në të gjithë hapësirën mediatike.
Ajo është një gazetare që në vitin 1998 iu vu tritol në shtëpi, me qëllimin për ta asgjësuar familjen e saj, ku sipas saj sulmi ndodhi vetëm se ajo raportonte si gazetare atë që ndodhte ne realitet, që sipas saj nuk u ka pëlqyer kurrë qeverisë së atëhershme që drejtohej nga PD.
Lajmin e trishtë e kanë shpërndarë dhe miqtë e saj në rrjete sociale. Shkrimtarja Vllasova Musta shkruan se si gazetarja e palodhur iku në një rrugë pa kthim.
Një lajm i trishtë ka tronditur sot botën e medias. Gazetarja e mirënjohur e Vlorës dhe autore e disa librave, ka ndërruar jetë pasi nuk e fitoi dot betejën me COVID.
Ndërkohë më 6 shkurt ishte edhe postimi i saj i fundit në rrjetet sociale, ku njoftonte se edhe fëmijët rezultuan pozitivë. Gazetarja rezultoi pozitive më 1 shkurt, ndërsa nuk arriti të fitonte dot betejën.
“SOT. Eva dhe Redi dalin pozitiv. Zot jemi në besën tënde. Duhet të rris forcat, që të jap kurajo fëmijve”, ka shkruar Luka.
Zenepe Luka së bashku me dy fëmijët
Lajmi kryesor:
COVID-19 në Shqipëri/ 1105 raste të reja dhe 14 viktima në 24 orët e fundit! Shuhet gazetarja Zenepe Luka, ndërrojnë jetë dy mjekë të njohur
E.M.//ReportTv.al