ITALI - Një 16-vjeçar me origjinë shqiptare është plagosur me thikë në kraharor mbrëmjen e vonë të së shtunës në Vicenza, në një zonë pranë qendrës historike të qytetit. Ai ndodhet aktualisht i shtruar në gjendje të rëndë në repartin e terapisë intensive pediatrike në spitalin e qytetit, por sipas të dhënave të para, jeta e tij nuk është në rrezik.
Sipas një rindërtimi fillestar nga ana e forcave të rendit, autor i sulmit dyshohet të jetë një tjetër i ri, ndoshta bashkëmoshatar i tij, për arsye që ende nuk janë sqaruar. Një nga pistat mbi të cilat po punojnë hetuesit është ajo e një grabitjeje të dështuar që përfundoi me gjakderdhje, por nuk përjashtohen as skenarë të tjerë.
Për të pasur një panoramë më të qartë mbi ngjarjen, mund të jenë të rëndësishme dëshmitë e vetë të plagosurit, banor i qytetit, sapo ai të jetë në gjendje të japë shpjegime. Alarmimi erdhi nga disa kalimtarë; zona ku ndodhi ngjarja, via Cattaneo, është e populluar dhe shumë e frekuentuar, edhe për shkak të një parkimi të madh që ndodhet aty.
Pas thirrjeve për ndihmë, në vendngjarje mbërriti një ambulancë e shërbimit emergjent Suem 118, dhe mjekët i dhanë të riut ndihmën e parë në vend, për ta transportuar më pas në spitalin e qytetit./ La Repuublica
Komente
