Kronikë

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID duke u hequr si infermiere, gjykata nxjerr nga qelia sanitaren Tire Alldervishi

16 Korrik 2021, 11:39| Përditesimi: 16 Korrik 2021, 12:19

  • Share

Gjykata e Tiranës ka nxjerrë nga qelia sanitaren Tire Alldervishi, duke i ndryshuar masën e sigurisë nga 'arrest në burg' në 'arrest shtëpie'. Gazetari i 'Report Tv', Arsen Rusta, bën me dije se Prokuroria kërkoi zgjatje me 3 muaj të afatit të hetimeve, kërkesë që u refuzua nga Gjykata, me argumentin se prokuroria ka patur të gjithë kohë e nevojshme dhe se hetimet kishin kaluar përtej afateve.  

Kujtojmë se Tire Alldervishi, e cila punonte si sanitare te spitali COVID 2, u arrestua për korrupsion, pasi i mori një pacienteje me COVID 8 mln lekë të vjetra, duke u hequr si infermiere. Pacientja ndërroi jetë si pasojë e COVID.

Ka qenë vajza e pacientes, Liljana Kalemi që denoncoi sanitaren, e cila tha se pagoi 8 milionë lekë të vjetra në kohë të ndryshme tek Tire Alldërvishin, me premtimin se do ia shpërndante bluzave të bardha për një kujdes më të mirë ndaj nënës së saj. Vetë sanitarja iu prezantua vajzës si infermiere, ndërsa mjekëve u tha se pacienten e kishte teze.

Me datën 11 mars, Gjykata e Apelit liroi dy infermieret e spitalit Shefqet Ndroqi, Sheqerije Koçi dhe Mira Bushi të akuzuara si bashkëpunëtore të Tire Alldervishit. Nga masa arrest me burg, dy infermieret u liruan nën masën ‘detyrim paraqitje’. Po kështu Apeli liroi më herët dhe një sanitare dhe infermiere, të spitalit “Shefqet Ndroqi”, më konkretisht infermieren Sidorela Kola dhe sanitaren Rukie Hoxha.

Tre infermieret dhe sanitarja u arrestuan pas hetimeve të kryera nga prokuroria e Tiranës, ku sipas prokurorisë ishte e qartë se persona me detyrë infermiere apo sanitare ne Spitalin "Shefqet Ndroqi" kishin krijuar një skemë të mirëfilltë me qëllimin e vetëm kriminal që të përfitonin sa më shume në kurriz të pacientëve të sëmurë me sëmundjen COVID 19 dhe familjarëve te tyre. Por tashmë asnjëra prej të përfshirave nuk është pas hekurave.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?