Gjyqtarja e Posaçme Flora Hajredinaj ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për avokatin Besart Logu, i dyshuar nga SPAK për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Gazetarja Keti Banushi raporton se në seancë, avokati Logu kërkoi një masë më të butë se izolimi në banesë për shkak se është baba i dy fëmijëve të mitur, nuk rrezikon prishjen e provave që janë mbledhur muaj më parë, dhe nuk rrezikon e ka për qëllim shmangien e drejtësisë por që nuk e pranuan. Avokati deklaroi se nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe se do të vërtetojë pafajësinë e tij.
Ndërkohë, SPAK pretendon se avokati i ka marrë një shtetasi italian 8 mijë euro me premtimin se do të ndikonte te vendimmarrja e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Një ditë më parë, në reagimin zyrtar, Prokuroria e Posaçme deklaroi se Logu i kishte marrë 8 mijë euro për të ndikuar të funksionarët e drejtësisë, dhe jo për shërbime avokatie, siç pretendoi avokati. Report Tv mësoi se shuma e parave avokatit Logu iu dorëzua nga një agjent i infiltruar i BKH-së, që ishte prezantuar si i afërm i klientit italian.
Këto para, avokati i kishte premtuar se do t’i përdorte për të ndërhyrë te prokurori e gjykatësi me qëllim që ta lironte nga qelia klientin e tij. Që prej dhjetorit 2024 e deri më tani, ka rezultuar se avokati i ka mbajtur për vete paratë dhe nuk kanë prova që t'ua ketë dhënë funksionarëve të drejtësisë. Megjithatë hetimet vijojnë ende për dokumentimin e plotë të rastit.
Komente
