I morën 100 mijë euro biznesmenit në emër të Taulant Ballës, kapet në Rinas anëtari i grupit të super mashtruesit

10 Qershor, 13:40| Përditesimi: 10 Qershor, 14:41

  • Share

Argen Hoxha 35-vjeç ishte gati të linte Shqipërinë. Ndoshta kishte marrë informacione se autoritetet i ishin vënë nga pas, derisa policia kufitare e ndaloi në Rinas, pak para se të nisej me avion. I riu nga Tirana dyshohet të jetë i përfshirë në zhvatjen e biznesmenit Flamur Rrushi, të cilit, përmes mashtrimit arritën t’i marrin 100 mijë euro.

Dirigjent i skemës që ka prekur disa biznesmenë në vend, është super-mashtruesi në kërkim Florian Gjergji.

Më 1 maj të këtij viti, biznesmenit Flamur Rrushi i mbërriti një mesazh në celular me kërkesën për t’i dhënë 100 mijë euro duke iu prezantuar si ministri i Brendshëm , Taulant Balla.

Pas disa bisedave, biznesmeni i kompanisë së transportit ndërkombëtar të mallrave, sipas udhëzimeve nga personi që mendonte se ishte ministri Balla, i dorëzoi paratë tek një taksist në Tiranë. Ky është ndër rastet e paktë që me skemën klasike të zhvatjes së parave duke folur në emër të zyrtarëve të rëndësishëm, 39-vjeçari shkodran të arrinte t’i merrte në dorë paratë.

Kur kuptoi se numri me të cilin kishte biseduar nuk ishte i ministrit, biznesmeni denoncoi në polici. Edhe taksisti të cilin super mashtruesi kishte dërguar për të marrë paratë, rezultoi të ishte pre e skemës, pasi nuk e dinte për çfarë bëhej fjalë. Hetuesit thonë se po punojnë të zbulojnë rolin konkret të personit të kapur në Rinas dhe të anëtarëve të tjerë që veprojnë nën urdhrat e mashtruesit në kërkim.

Florian Gjergji i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe mendohet që skemën dhe njerëzit t’i drejtojë nga Gjermania, ka shfrytëzuar emra të rëndësishëm politikanësh për të marrë para na biznesmenë të ndryshëm, por në pjesën më të madhe skema e tij është nuhatur dhe policia ka kryer arrestime në flagrancë në momentet që do të bëhej shkëmbimi i parave.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?