Ali Kyçyku është vetëm një nga 300 mijë pacientët e diagnostikuar me hipertension në vendin tonë. Ai vuan prej 20 vitesh nga presioni i lartë i gjakut, dhe diabeti ia ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen shëndetësore. Teksa ndodhet në një nga stendat e ngritura nga ministria e Shëndetësisë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve duke u matur tensionin falas, 77-vjeçari thotë se një nga armiqtë e hipertensionit është jeta aktive dhe e shëndetshme.
“Kam pasur luhatje se dhe vapë tani. Më shkon deri në 16-17 tensioni, po unë marr edhe mjekim. Ka 20 vjet që marr mjekim për hipertensionin, e kam edhe trashëgimi nga familja. Ndihem i këputur, marrje mendsh. Unë jam edhe diabetik, mbaj një balancë në të ushqyer. Bëj 7-8 kilometra në ditë në këmbë. Tregoj kujdes me bukën, ëmbëlsirat, orizin e makaronat”, tregon Ali Kyçyku.
Mjeku specialist në ISHP Alban Ylli thotë se një në tre të rritur në vend vuajnë nga hipertensioni, ku më të riskuar janë ata që kanë një histori familjare me këtë patologji.
“Nëse do i referoheshim individëve të regjistruar në regjistrin kombëtarë janë rreth 300 mijë shqiptarë të diagnostikuar me hipertension. Nëse do të bazoheshim në regjistrimet në popullatë, çka do të thotë individë që nuk janë të ndërgjegjshëm që kanë hipertension por, që ne i zbulojmë në momentin e kapjes. Nga popullata adulte në Shqipëri, 1 në 3 persona i kanë këto parametra mbi normën ose duke marr mjekim. Te mosha mbi 60 vjeç, kjo përqindje shkon mbi gjysmën 60-70% e popullatës. Risku më i lartë tek personat mbipeshë dhe tek personat më pak të arsimuar, e lidhur edhe me mosndërgjegjësimin mbi këtë problem dhe fillimin e vënies në përpjekje për ta mbajtur nën kontroll”, shprehet Alban Ylli.
Shifrat e të diagnostikuarve me hipertension janë në rritje, por vdekshmëria ka rënë për shkak të ekzaminimeve të hershme.
“Vdekshmëria drejtpërdrejt nga hipertensioni vitet e fundit ka ardhur në rënie në Shqipëri një fraksion i vogël sepse shumica dërrmuese e vdekshmërisë nga hipertensioni shkaktohet përmes sëmundjeve kardiovaskulare dhe sëmundjeve ishemike të zemrës. Në të dy këto kategori të mëdha të sëmundjeve në Shqipëri nga pikëpamja e vdekshmërisë së parakohshme janë duke rënë”, shpjegon mjeku.
Apeli i mjekëve shkon për kontrolle rutinë dhe një stil jete të shëndetshme.
“Mënyra e mbajtjes në kontroll, ose parandalimi i tij janë sërish të dyfishta. E para ka të bëjë me stilin e jetesës, nëqoftëse do të kishim më shumë individë që do mbanin kontroll të shpeshtë në të ushqyer, nuk do të pinin duhan, të mbanin nën kontroll sheqernat, të bënin më shumë aktivitet fizik, do të kishim gjithmonë e më pak hipertension. Nga ana tjetër faktor tradicional të shkaktimit të hipertensionit siç është konsumimi i kripës”, thotë Alban Ylli.
Në botë hipertensioni është një ndër shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë, ku sipas OBSH-së trajtimi i duhur i tij mund të shmangë 76 milionë vdekje në mbarë botën deri më 2050-ën.