Vala e të nxehtit që ka përfshirën Evropën Jugore po vijon të zgjerohet drejt Lindjes me Parisin, Romën, Berlinin, Vjenën, Pragën dhe Varshavën që po përjetojnë temperatura rekord. Franca sipas ministres franceze për klimën, ka regjistruar qershorin e dytë më të nxehtë që nga viti 1900.
I nxehti përvëlues besohet se ka marrë të paktën 10 jetë në dy ditët e fundit. Në Itali 5 persona humbën jetën për shkaqe të lidhura me vapën, ndrësa 3 të tjerë përfshirë një fëmijë vdiqën në Spanjë. Në Francë dy persona të tjerë humbën jetën po për shkak të të nxehtit. I nxehti ishte aq ekstrem saqë mbinxehu tubat nëntokësorë të energjisë elektrike dhe shkaktoi një ndërprerje që zgjati gati 7 orë në disa zona të Italisë. Shumë njerëz mbetën në ashensorë, ndërsa aktiviteti tregtar pothuaj u paralizua me energjinë që u rikthyer afër mesnatës.
Në Napoli, temperaturat arritën në 34 gradë, me një shkallë lagështie që preku 70%, veçanërisht në mbrëmje dhe natën. Ndërkohë në Milano temperaturat ishin 7 gradë mbi mesataren, ndërsa në Romë 8 më shumë se mesatarja.
Megjithatë në disa rajone janë vendosur masa lehtësuese që kufizojnë punën në ambientet e jashtme, gjatë orëve të pikut. Një masë e tillë do të duhej të ndërmerrej edhe në vende të tjera që po arrijnë temperatura rekord, siç është Shqipëria.
Megjithatë, nuk ka ende një vendim që do të ishte i domosdoshëm, sidomos për ata që punën e kanë në terren. Organizata Botërore Meteorologjike tha se bota do të duhet të mësohet të jetojë me normalitetin e ri të valëve ekstreme të të nxehtit, të cilat do të ndodhin më shpesh dhe do të jenë më intensive me kalimin e kohës.
Komente
