“Do ta raportojmë sërish ankesën tuaj. Faleminderit.” Të njëjtën përgjigje, banorët e një pallati në zonën e Selitës në Tiranë, e marrin prej 4 ditësh, sa herë që telefonojnë shërbimin e Ujësjellës-Kanalizimeve duke e sinjalizuar se nuk kanë ujë.
Rubinetet në apartamentet e tyre janë tharë.
"Kemi katër ditë që telefonojmë, por na thonë të njëjtën gjë: do ta raportojmë. Nuk merret asnjë masë konkrete”, thotë një banor.
Në rrugën “Hasan Vogli”, banorët thonë se uji në çezma vjen vetëm për pak minuta gjatë dorës, aq sa nuk arrin të mbushë as depozitat.
43 familje të këtij pallati janë të detyruar të blejnë ujë për të përmbushur nevojat bazike.
“Me bidonë, kemi bërë ankesa pa fund por kemi 4 ditë pa ujë.”
“Nuk dimë si ta përballojmë. Unë jam pensionist, me pensionin po blejë edhe ujë tani”, thonë banorët.
Problemi, sipas administratorit të pallatit, ka nisur para 20 ditësh, kur furnizimi me ujë nisi ndërprerje të shkurta, por situata u përkeqësua javën e fundit.
“Kemi 20 ditë, që njëherë kemi njëherë jo. Ndonjëherë vinte vetëm për 30 minuta. Por tani këto 4 ditë vjen vetëm për 12 minuta, ku nuk mbushen as depozitat. Jemi 43 familje, 7 biznese edhe 1 kopsht që s’kemi ujë”, shprehet administratori.
Në një përgjigje për Report Tv, shërbimi i Ujësjellës Kanalizime Tiranë tha se vetëm në këtë zonë po kryhen investime në linjat e amortizuara, çka ka sjellë edhe reduktimin në orar. Sipas UKT, nuk ka pasur mungesë furnizimi por vetëm reduktim, i cili pritet të zgjasë deri nga mesi i javës së ardhshme. Të prekura janë edhe zonat e Saukut dhe Farkës.
Pjesa më e madhe Tiranës furnizohet nga impianti i Bovillës, ndërsa 25% nga burimi i Selitës dhe Shën Mërisë.
Komente

Edi Rama ju lutemi atë që bëre në bashkinë e Vlorës bëhe dhe te UKT sepse i ke të gjithë të degjeneruar....nuk është vetëm kjo zonë te Vasil Shanto te shkolla Besnik Sykja pallatet e vjetra vuajnë për uji teknikët e ujësjellësit janë bërë brek derra se rrinë gjith ditën duke pirë.....ju lutemi vini dorë sepse Tirana është kthyer në kryeqytetin e bidonave nëpër tarraca...
Përgjigju