Foto ilustruese

Bota

I nxehti rekord, rajonet e Italisë marrin masa: Ndalim i punës në ambiente të hapura gjatë orëve përvëluese dhe transport falas në mëngjes për moshat mbi 70-vjeç

1 Korrik, 10:05| Përditesimi: 1 Korrik, 11:11

  • Share

Ndërsa vala e të nxehtit ka goditur Europën, përfshirë edhe Shqipërinë, Italia e vende të tjera kanë nisur të marrin masa konkrete për të mbrojtur qytetarët dhe punëtorët nga temperaturat ekstreme. Nisma që synojnë jo vetëm ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, por edhe rritjen e eficiencës në punë. Masa që mund të ndiqen edhe nga vendi ynë, i cili po përballet me temperatura ekstreme.

***

Të parët që hapën rrugën ishin autoritetet e Lazios në fillim të qershorit. Për të mbrojtur punëtorët nga temperaturat rekord, guvernatori Francesco Rocca vendosi ndalimin e aktiviteteve në ambiente të hapura në kantierë, miniera, fusha dhe çerdhe nga ora 12:30 deri në 16:00 në ditët e konsideruara me rrezik të lartë për shkak të të nxehtit. Këto kufizime do të jenë në fuqi deri më 31 gusht. Teksti i masës referon te faqja worklimate.it për të përcaktuar datat me “pike e kuqe” kur ndalohet puna nën diellin përvëlues. “Ndryshimet klimatike po bëjnë që kulmet e të nxehtit të jenë gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive: nuk mund t’i nënvlerësojmë efektet e tyre - komentoi presidenti - Është detyra jonë të mbrojmë njerëzit, veçanërisht ata punëtorë që janë më të ekspozuar. Do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do të ndërhyjmë me masa edhe më të forta”.

Shumë rajone e ndoqën në zinxhir këtë shembull. Ndër të fundit është Lombardia. Presidenti Attilio Fontana do të firmosë sot urdhrin anti-të nxehtit, pas takimit të djeshëm mes organizatave sindikale, përfaqësuesve të punëdhënësve dhe këshilltarit për Mirëqenien, Guido Bertolaso. Do të zbatohen të njëjtat orare si në Lazio dhe do të mbrohen të njëjtat kategori, por datat do të jenë të ndryshme. Kufizimet hyjnë në fuqi nesër dhe do të jenë të vlefshme deri më 15 shtator, gjithmonë vetëm në ditët me rrezik “të lartë” për punëtorët e ekspozuar ndaj diellit.

Urdhri parashikon që ndalimet nuk zbatohen për “administratat publike, koncesionarët e shërbimeve publike, nënkontraktorët e tyre, ndërhyrjet e mbrojtjes civile dhe ato për ruajtjen e sigurisë publike”. “Prioriteti ynë është mbrojtja e shëndetit të punëtorëve — komentoi Fontana — veçanërisht në periudha si kjo, kur të nxehtit bëhet veçanërisht i padurueshëm. Ky urdhër është një hap i rëndësishëm për të garantuar që aktivitetet prodhuese të zhvillohen në kushte sigurie dhe shëndeti”. Sindikatat konfedrale, të cilat prej disa ditësh kishin kërkuar miratimin e këtij vendimi, tani kërkojnë që ai të “plotësohet në nivel kombëtar me mjete konkrete për mbështetjen e të ardhurave”.

Së fundmi (dhe i firmosur dje) është edhe dokumenti i rajonit Emilia-Romagna që përfshin në kategoritë që duhet të mbrohen edhe punëtorët që punojnë “në terminalet logjistike”, një risi për këtë vit. Për aktivitetet e shërbimit publik nuk ka ndalim kategorik, por vetëm një riorganizim. “Megjithëse në Emilia-Romagna shumë kompani janë aktivizuar tashmë për të gjetur zgjidhje të përshtatshme — shpjegojnë nënkryetari i rajonit Vincenzo Colla dhe këshilltari për Punën Giovanni Paglia — , nevojitej një akt që të garantonte njëtrajtshmëri masash në gjithë territorin dhe mbrojtje të plotë për punëtorët, përfshirë mundësinë e tërheqjes nga puna gjatë orëve më të nxehta të ditës. Aspektet më të rëndësishme janë fleksibiliteti në hyrje dhe dalje nga vendet e punës dhe rishikimi i orarit të punës”.

Ndër rajonet e tjera që kanë miratuar masa të ngjashme janë Sicilia, Pulia, Umbria, Toscana, Abruzzo, Campania dhe Kalabria. Edhe komunat po ndërmarrin masa kundër vapës. Në Genova, për shembull, është dhënë leje për udhëtime falas në transportin publik për personat mbi 70 vjeç që nga ora 7:30 e mëngjesit, në vend që nga ora 9:30, një masë për t’i nxitur të udhëtojnë në oraret më pak të nxehta./Corriere della Sera

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?