I pafajshëm në ferr/ Çajup Bejko: Si u arratisa në Amerikë, pas 8 viteve burg në Spaç e Qafë Bari

2 Gusht 2018, 07:46| Përditesimi: 2 Gusht 2018, 09:48

  • Share

Që nga mesi i viteve ‘70, Shqipëria kishin hyrë në fazën e instanjacionit dhe krizës ekonomike. Në këto kushte regjimit i nevojiteshin shpesh alibi për të justifikuar gjendjen e rëndë ekonomike që reflektohej në çdo fshat e qytet, në dyqanet e zbrazura e tryezat bosh.

Një varg procesesh politike të montuara do të shënoheshin në këtë periudhë, të cilat lidheshin kryesisht me çështje sabotimesh të ekonomisë socialiste dhe agjitacion e propagandë që përkthehej ndryshe pakënaqësi ndaj regjimit të Hoxhës. Sigurimi i Shtetit ishte gjithnjë vigjilent për krijuar grupe të reja armiqësore e për të përmbushuar dhe tejkaluar  planet në fushën e arrestimeve.

Në këtë sfond historik, në vitin 1979, në një fshat rebel në jug të vendit, në Lazarat, fare pranë qytetit të lindjes së diktatorit, një fshat me të shkuar nacionaliste e me lidhje të forta me Ballin Kombëtar, do të arrestoheshin 3 të rinj mes tyre Çajup Bejko. 

Nuk kishin bërë asnjë faj, por akuzat silleshin nga agjitacioni e propaganda tek minimi i pushtetit popullor e deri tek përgatitja për arratisje... akuza këto që parashokonin burgime të gjata e të rënda.

Ishte tetori i 1979. Vjeshta e fundit në fshatin e tij të lindjes. Do të nisej një mëngjes për në Delvinë dhe atje do të arrestohej për të vijuar muaj të gjatë hetuesie në birucat e Gjirokastrës. Çajup Bejko, as e dinte se ç’po ndodhte!!!

 “Unë jam arrestuar më 6 tetor të vitit 1979. Në fakt u nisa për në Sarandë dhe nga Saranda për në Delvinë. Kisha një kushëri atje. Kisha gjyshen sëmurë dhe doja të merrja disa kokrra limona se ishte me grip. Meqenëse në qytet nuk kishte, shkova t’i merrja atje. Duke ikur rrugës e pashë që më ndiqnin nga pas ca të policisë. Ishin nja dy spiunë nga Gjirokastra dhe një polic që unë e njihja ishte polic i fshatit. Zbrita nga autobusi dhe një natë qëndrova në Sarandë. Të nesërmen arrita në Delvinë në orën 10 të mëngjesit. Atje nuk më lanë të zbrisja poshtë nga autobusi. Më doli para një operativ, të paktën kështu dukej nga veshja e tij me kollare.  Aty te shkallët e autobusit më pyeti për emrin. I thashë emrin tim dhe të babait dhe më tha që “në emër të popullit” isha i arrestuar. Kur e pyeta se çfarë kisha bërë, një tjetër më ra me grusht nga pas dhe më urdhëroi të pushoja e të mos flisja. Më vunë hekurat, më hipën në makinë dhe më çuan në birucë të Delvinës. Atje më rrahën aq fort saqë u përmenda pas 2-3 orësh dhe s’dija se ku isha. Pas 2-3 orësh më vunë prapë hekurat dhe më morën me një ambulancë bashkë me operativët dhe më nisën drejt Gjirokastrës.”

Këtu do të niste të hidhte hapat e parë drejt ferrit. Duhej të përgjigjej para hetuesit për punët e tij armiqësore, për grupin e organizuar, për planet e arratisjes, e për kush e di çfarë sajese tjetër që Cajupi po i dëgjonte për herë të parë në jetën e tij.

“Atje pastaj filloi hetuesia. Unë s’dija as përse më kishin arrestuar. As kisha vjedhur, as në kufi nuk kisha shkuar, as kisha përdhunuar, pra nuk kisha bërë ndonjë gjë. Prisja se çfarë do të bëhej. Në 2 të natës erdhi kryetari i Degës së Brendshme të Gjirokastrës, Medar Hasa,  erdhi kryeprokurori i rrethit, nnëkryetari i degës, dhe shefi i hetuesisë së Gjirokastrës kristaq profka   i cili më komunikoi që dënohesha për agjitacion e propagandë. Jo i thashë  nuk kam bërë agjitacion e propagandë. Më mbajtën 7 muaj në birucë dhe pas 2-3 muajsh, pasi bënin pyetje kot si, përse ke sharë partinë, pse doje të ikje, me kë doje të ikje, pse ke vjedhur etj., të cilat s’i kam bërë kurrë, pastaj më pyetën nëse e njihja Xhelal Botin. Xhelal Botin unë e kisha djalë tezeje. Atë e kishin arrestuar në një kohë me mua por s’dinim gjë. Pastaj më pyetën nëse e njihja Bilanin, që ishte një bashkëfshatari im, por që nuk kisha as moshë dhe as lidhje me të. Më thanë që kishim bërë një grup kundër pushtetit popullor, që donim të përmbysnim pushtetin, që donim të arratiseshim etj. Unë u thashë që s’kisha asnjë lidhje me ata dhe as ata me mua. Dhe ky ishte fakt nuk ishte gënjeshtër. Pas 7 muajsh në hetuesi, gjoja na ballafaquan dhe pastaj na çuan në gjyq. Gjyqin e bënë me dyer të mbyllura sepse shefi i hetuesisë kishte thënë se të pandehurit kanë sekrete shtetërore. Neve jo vetëm që nuk kishim sekrete shtetërore, por as që e dinim se çfarë ishte një sekret shtetëror. Mua më dënuan 10 vjet, Xhelalin 12 vjet dhe Bilalin 11 vjet. Pastaj na morën dhe na çuan në Spaç. Gjatë 7 muajve ne nuk pamë më njeri me sy, as familjen, as ushqim. Ju e keni parasysh se çfarë bëhej në burgun e Gjirokastrës. Pastaj na dërguan në Spaç. As e dija ku binte Spaçi”...

Pas ditëve në kaush të Tiranës autoburgu do ti niste drejt Spaçit. As në përfytyrimin më të hollë nuk do të kish mundur ta imagjinonte këtë vend. Rruga që dredhonte mes maleve dukej sikur zhdukej në askund pas çdo kthese, ndërsa malet e thepisura deri ën kupë të qiellit  ngjanin sikur do të shembeshin mbi krye. Ende më tronditëse do të qe përballja në kamp. Djemtë e rinj do të  dallonin në portretet e zymta të të burgosurve përmasën e vërtetë të tmerrit në këtë kamp shfarosës.

“Kur shkuam në Spaç pamë njerëzit aty që ishin të zymtë, kokëqethur, të dobët, të sakatuar nga puna, të gjymtuar. U futëm në kafaz, në Spaç. Pastaj filloi historia e Spaçit. Do të fillonte puna vdekjeprurëse e galerisë, do të fillonte uria, do të fillonte biruca, për çdo gjë. Se atje ishte një ligj, që po të mos bëje normën të merrnin shpirtin. Ky ishte ligji i Spaçit, që ose do të bëje normën ose do të jepje shpirtin. Në Spaç ndenja deri 4 vjet. Pas 4 vitesh na çuan në Qafën e Barit. Ishte viti 1982. Në Qafën e Barit çuan gati 100 e ca veta në atë kohë. Atje puna ishte vdekjeprurëse sepse në miniera kishte vetëm ujë, nuk kishte as shina. Ato miniera ishin bllokuar si të papërshtatshme që nga koha e rusëve. Këta i hapën prapë. Në Spaç ishim rreth 1 200 veta. Në një dhomë rrinim gati 60-62 veta, në shtretër me tre kate. Dhomat ishin me gjerësi dhe gjatësi nga 4 metra dhe me lartësi 2 metra. Dhe atje rrinin 62 veta. Si mund të jetojnë 62 veta në atë hapësirë?

Dhe na çuan në Qafën e Barit. Atje ishte akoma më keq, ishte tmerr.”

Terrori pas revoltës së Qafë Barit

Në Revoltën e Qafë Barit me 23 maj 1984 Çajup Bejko ishte vetë protagonist. Ai është arrestuar me grupin e dytë të të dënuarve  pas revoltës. Ishin 16 vetë. E kujton mirë momentin kur kanë lexuar emrat. Ishte i pesti në listë. Traumat që do të përjetonin pas atij çasti do të ishin të pashlyera përjetë...

Pas 1 viti e gjysmë në Qafën e Barit, më 23 maj 1984, u organizua ajo që u quajt Revolta e Qafës së Barit. Faktikisht e organizoi vetë shteti se ne punëtorët atje punonim të tërë në galeri, ishim në punë. Por u bë shkak njëri sepse kishte një ligj që duhej të bëje normën e cila ishte 4 vagonë për njeri, ose 12 vagonë për të gjithë grupin se grupi përbëhej nga tre veta. Nëse nuk bëhej norma, polici të çonte në kamp dhe pastaj të sillte përsëri në galeri dhe do të punoje përsëri, por normën do ta realizoje nga fillimi, pra nëse kishe bërë 8 vagonë si grup nuk quheshin, do të bëheshin nga fillimi përsëri 12 vagonë të tjerë. Kjo ishte historia. Ai djali që ishte i sëmurë organizoi atë që quhet Revolucioni i Qafës së Barit. U vranë 2 veta, i pushkatuan pa gjyq, u nxorën sytë, i sakatuan në mënyrë çnjerëzore. Kurse mua më arrestuan ditën e dytë. Ne ishim grupi i dytë, unë, Agron Hoxha, Haxhiu dhe shumë të tjerë. Ishim gati 16 veta. Na morën pasdite. Tërë këtë e ka bërë Lekë Ymeri. Ai ishte organizatori i të tërë të burgosurve politikë. Ai të vriste, ai të lironte. Krimineli më i madh i kampeve ai ishte. Quhej Lekë Ymeri. Nuk e di se çfarë është tani. Na tha që do të rrinim të gjithë aty e që nuk donte asnjë lëvizje. Na ulën në tokë të gjithëve dhe kush do të dëgjonte emrin do të çohej në këmbë. Filluan të lexonin emrat. Unë isha i pesti. Pas meje ishin Xhemal Mustafaraj, Agron Hoxha etj. Ishin shumë veta. Tërë natën na mbajtën te birucat sipër, lakuriq. Të nesërmen na hipën në makinat Ifa dhe na çuan në Zejmen. Kishim një Sali Grasa, që më duket se ishte nga Fushë-Kruja. Lekë Ymeri shoqëronte autokolonën me automatikë, me qen kufiri, me makinat xhip të asaj kohe. Na tha që do të shkonim në kamp e nuk do të tregonim se çfarë kishte ndodhur. Saliu i tha që ashtu siç ishim nxirë ne e ishim bërë sterrë të zinj nga të rrahurat, nuk do të mund të gënjenim. E morën Saliun, e zgjidhën nga zinxhirët dhe para se të arrinim në kampin e Zejmenit, e rrahën aq shumë, saqë Saliu për dy vite rresht villte gjithnjë gjak. Iu shtrembërua trupi nga të rrahurat. Na çuan në kamp. Saliun e çuan drejt e në birucë. Në darkë na rrahën prapë e na futën në birucë. Pastaj na thanë se do të na çonin përsëri në Spaç por që nuk duhej të tregonim se ndryshe do të na mbysnin. Mua më kishin thyer dhëmbët dhe disa brinjë. Sa na çuan në Spaç, na mbyllën sërish në birucë. Pastaj na nxorën dhe kjo ishte e gjithë historia”.

Arratisja nga malet 2 vjet para rënies së diktaturës

Çajup Bejko u lirua nga burgu i Spaçit në korrik të vitit 1988. Kishte kaluar më shumë se 8 vite në minierat e vdekjes e në qelitë e torturave çnjerëzore. Të vuaje burgjet komuniste ishte si të kaloje zbathur mbi zjarr, por edhe periudha pas daljes nga burgu ishte po ashtu e vështirë. Çajupi thotë se nuk mund të duronte më. Drita e vetme që dallonte ishte larg, shumë larg fshatit të tij. Pas asaj drite do të ecte gjersa të gjente lirinë.... 

“Unë u lirova në korrik të vitit 1988. Kërkova punë e nuk më jepnin. Më çuan në NSHN-në e Gjirokastrës. Atje nuk e përballoja dot punën si hamall sepse isha shumë i dobët. Një thes me sheqer që duhej të mbaja unë peshonte 100 kg, ndërsa unë peshoja 46-47 kg. Pastaj më çuan në kullota, ku hapja gropa për të mbjellë pemë. Pastaj vendosa që të ikja. U arratisa. Nuk mund të rrija më në Shqipëri. Lekë nuk kisha, shtëpi nuk kisha. Nuk kisha asgjë. Bisedova edhe me disa fshatarë të tjerë dhe vendosëm që të iknim në kufi.

Jemi nisur në orën 3 të mëngjesit. Ishim tre veta. Kaluam kufirin dhe shkuam në Greqi. Kur shkuam në Greqi na çuan në një qytet, në Kastoria. Unë nuk dija asnjë fjalë greqisht dhe asnjë fjalë anglisht. Dija frëngjisht, të cilën e kisha mësuar në burg. Në Kastoria morëm një makinë Skoda dhe shkuam në Selanik, pastaj nga Selaniku shkuam në Athinë me tren. Atje filluam punën. Pastaj shkova në ambasadën amerikane dhe dhashë intervistë, ku tregova që kam qenë në burg. Në fillim nuk më besuan. Menduan se unë kisha qenë i burgosur ordiner. Atje ishte një përkthyes nga Himara. Ai ishte një spiun, nga ata që dërgonte Enver Hoxha. Mbase ishte edhe pak racist dhe ai kundërshtonte, më thoshte që nuk kisha bërë burg politik. Pastaj foli edhe një shok tjetër dhe u tregoi që kisha qenë në burg politik me ata. Pas një muaji ma aprovuan kërkesën dhe ambasada amerikane më dërgoi në Amerikë.”

Çajupi është ndër të rinjtë më fat që mundi të arratiset nga  Shqipëria, në nëj kohë kur kufiri ishte forcuar gjithkund. Në raportet e shumta të Minsitrisë së Brendshme gjatë fundit të viteve ‘80 e sidomos në 1990 shënoheshin vrasje makabër pothuajse çdo ditë nga veriu në jug të venditpërgjatë gjithë vijës kufitare. Edhe vetë Çajupi thotë se ishte i vetëdijshëm për rrezikun, por smund të duronte më. Edhe pse kishte jetuar ferrin për mbi 8 vite në Spaç e Qafë Bari, dhe akti i arratisë mund ta rikthente sërish atje, Çajupi ishte i vendosur. Nuk mund të mendonte për asgjë tjetër veç lirisë... 

“Të vrisnin. Pasi kemi kaluar kufirin ne, vranë disa të tjerë që tentuan të kalonin kufirin në Gjirokastër. Por ne nuk mund të rrinim më në Shqipëri. Ishte e pamundur. Disa gjëra nuk kanë ndryshuar as sot. Atëherë nuk të linin të flisje kundër Enver Hoxhës, sot të lënë të lirë të flasësh, por të thonë të largohesh. Gjirokastra ka pasur 27 mijë banorë, sot kanë mbetur 13 mijë banorë. Njerëzit sot largohen nga varfëria”.

Çajupi jeton sot në Nju Xhersi. Që nga koha e arratisjes jeton atje më familjen. Në atdhe kthehet mjaft rrallë, kryesisht për pushime. Por këtë vit ka vendosur të ngazhohet edhe për një shqeytësim që prek gjithë ish të burgosurit politikë që punuan në Spaç, Qafë Bari e gjetkë pensionin e minierës të cilin ende nuk po e perfitojnë edhe pse një ligj...

“Unë dhe të tjerët kemi  punuar ndërkohë që ishim të dënuar, kemi bërë punë vdekjeprurëse. Na thonë një herë do t’i japin pensionet e një herë që s’do t’i japin. Institucionet shtetërore dhe ministritë na përcjellin te njëri-tjetri. Ministria e Drejtësisë na thotë që s’ka dokumente. Shkojmë për të gjetur dosjet dhe na thonë që nuk janë, i kanë djegur sepse puna e të burgosurve ka qenë shkelje. Të dënuarit politikë nuk duhej të punonin. Ndoshta kjo mund të ketë qenë arsyeja që dosjet i kanë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Por ne duam të vërtetën se jemi vetë fakti. Ne e dimë shumë mirë se kush ka qenë e kush s’ka qenë në burg. Unë të paktën jetoj në Amerikë dhe punoj, por kam shokët e mi këtu që bredhin zyrave dhe nuk kanë as shtëpi, kanë fëmijë për të rritur dhe s’kanë asnjë të ardhur. Rininë na e morën, jetën na e morën, të paktën të na japin pensionin, djersën dhe gjakun tonë. Është diçka normale si në të gjithë botën. Për aq sa ke punuar duhet të marrësh pension. I lutem qeverisë apo çdokujt që e ka në dorë këtë problem që ta shikojë çështjen e pensionit. Është një e drejtë që na takon, të paktën për punën që kemi bërë. Nuk kemi punuar jashtë se na shkoi jeta nëpër burgje. Unë kam shokët e mi që kanë bërë nga 20 vjet burg, disa edhe më shumë. Mos të marrin as pension? Si do ushqehen këta njerëz?”

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Prrakat: 19/09/2018 02:35

    DUHET NGRITUR zeri te ai QE te mbyt te RRUCI MORE TE KRYEKA..RI I KUVENDIT .AI DHE MBETA E KANE NE DORE.KETA VARFANJAKE NE SHPIRT IU QELBTE BY. ..THA E I PAFSHIM ME BIBILINA O ZOT ....PO DO VIJE NJE DITE DO VIJE DHE ZOTI DO MARRE HAK ...PO , PO LUTUNI ...E BESONI SE DO VIJE .. .

    Përgjigju
  • komunisti: 02/08/2018 20:08

    shpetove more zagar pa ti plumbin e kishe pak ..po pse nuk i tregon te verteten kur te arrestuam bere urinen ne brek ..edhe ne burg spiun ke qen edhe pederast.

    Përgjigju
    • Mali: 02/08/2018 22:22

      Po mir mor "komunist leshi" po pse shurroj ne breke e denuat 8 vite? Qenke i mbaruar...

  • Besford këlluf gjoleka: 02/08/2018 09:34

    Ore zotni ju keni plotësisht të drejt se ju kan mar jetën e sju japin gjakun e djersën tuaj. Po kta që jan në politik nga të dy krahët jan klyshat e enver kriminel edepsëz hoxh mutit çfar prisni ju nga këto klyshët e kriminelve. Çfar prisni ju nga sekretari partis maloku salhe e nga ed droga e nga like floriri e mona buçja. Jeni martir të Shqipris e sju japin hakun tuaj. ZOTI JU A MART HAKUN RRESPEKT

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?