“Unë jam një futbollist dhe jam krenar që jam gay”. Fjalët e lojtarit australian 21-vjeçar, Josh Cavallo, kanë gjeneruar mbështetje dhe admirim global.
Cavallo është lojtari i parë aktiv në A-League të Australisë që deklaroi se është homoseksual. Ai është gjithashtu i vetmi futbollist mashkull aktual i nivelit të lartë që ka folur hapur për preferencat e tij seksuale.
Njoftimi publik u bë në një video të publikuar në rrjetet sociale nga skuadra e tij, Adelaide United, përpara sezonit të ri të A-League.
Cavallo ka deklaruar se dëshiron të jetë shembull për lojtarët e tjerë homoseksualë dhe të frymëzojë ndryshimin.
“Duke u rritur, gjithmonë kam ndjerë nevojën për të fshehur veten… sepse kisha turp, turp që nuk do të mund të bëja kurrë atë që dua dhe të jem homoseksual. Gjithçka që dua të bëj është të luaj futboll dhe të trajtohem në mënyrë të barabartë. Jam lodhur duke u përpjekur të performoj sa më mirë dhe të jetoj këtë jetë të dyfishtë. Është rraskapitëse, është diçka që nuk dua ta përjetojë askush”, tha ai.
Cavallo shtoi se mbështetja dhe përgjigja që ka marrë ka qenë "e pamasë", duke e bërë atë të pyesë veten pse e kishte fshehur seksualitetin e tij për vite me radhë.