Futbollisti i lindur në Tiranë, Gledi Mici, është shqiptari i parë që thirret nga përfaqësuesja e Kosovës.
‘Ndjehem mjaft i lumtur dhe i vlerësuar për ftesën që kam marrë. Gjej rastin ta falenderoj trajnerin dhe federatën e Kosovës për ftesën. Më vjen keq që klubi i Prishtinës ka vendosur të mos shkojë në grumbullim, pasi kemi ndeshjen e Champions League, por shpresoj të marr një tjetër ftesë në të ardhmen,’-u shpreh Mici.
Me këtë ftesë, thyhet edhe tradita e përheshme e kombëtares shqiptare që merrte futbollistë me origjinë nga Kosova. I pyetur përse ende nuk ka marrë një ftesë nga federata shqiptare, futbollisti që luan me Prishtinën përgjigjet:
‘Të them të drejtën nuk e di pse. Unë jam futbollist dhe puna ime është të jap maksimumin në fushë, ndërsa janë të tjerët që bëjnë vlerësimet,’-deklaroi ai.
Këtë sezon 30-vjeçari u shpall kampion me Prishtinën në Kosovë, por sipas tij ky është vetëm fillimit pasi kryeqytetasit synojnë të bëjnë surprizën edhe në Champions League.
‘Prishtshmëritë tona janë që të kalojmë minimumin dy turne, por dihet që në Kupat e Europës ndeshjet janë më të vështira, më delicate dhe për këtë arsye duhet edhe pak fat. Unë kam besim se mund të bëjmë surprizën dhe të shkojmë sa më lart,’-tha Mici.
Në intervistën për Report TV Mici ka siguruar se pavarësisht ofertave edhe sezonin e ardhshëm do luajë me Prishtinën.