Kronikë
Top 24

'I përjetshëm do të jetë kujtimi i tij', Akademia e Shkencave mesazh ngushëllimi për gazetarin e ndjerë, Fatos Baxhaku

17 Gusht 2019, 08:42| Përditesimi: 17 Gusht 2019, 09:07

  • Share

Për vdekjen e gazetarit të njohur Fatos Baxhaku shprehu ngushëllimin dhe Akademia e Shkencave.

Akademia e Shkencave i ka kushtuar një mesazh prekës gazetarit që u shua nga jeta pas një sëmundje të rëndë, Fatos Baxhaku. ASH këtë mesazh e ka publikuar në rrjetet sociale ku shpreh ngushëllimet dhe lavdëron punën e bërë nga Baxhaku.

Akademia e Shkencave shkruan se Fatos Baxhaku krijoi modelin e reporterit televiziv në një shoqëri të lirë. Ishte i pari që, me emisionin dokumentar ‘Jashtë bulevardit’ e shpërnguli gazetarinë shqiptare nga sallat e konferencave të shtypit, ku ishte vetëngujuar, tek jeta e njerëzve të zakonshëm të popullit, të braktisur në fatin e tyre.

Mesazhi i plotë:

Fatos Baxhaku u nda nga jeta.

U nda nga jeta në mënyrë të parakohshme publicisti dhe kërkuesi shkencor Fatos Baxhaku.

Për disa vite me radhë (1986-1992) Fatos Baxhaku punoi si kërkues shkencor në rrjetin e instituteve kërkimore albanologjike të Akademisë së Shkencave.

Përfundoi studimet doktorale për histori dhe botoi në gjermanisht bashkë me albanologun e mirënjohur Peter Bartl monografinë kushtuar doktrinës "cultus protectorati" të perandorisë biqefale austrohungareze për mbrojtjen e të krishterëve në Ballkanin otoman.

Vendi i tij në gazetarinë tradicionale dhe televizive gjatë tri dekadave të fundme ishte dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Fatos Baxhaku krijoi modelin e reporterit televiziv në një shoqëri të lirë.

Ishte i pari që, me emisionin dokumentar "Jashtë bulevardit" e shpërnguli gazetarinë shqiptare nga sallat e konferencave të shtypit, ku ishte vetëngujuar, tek jeta e njerëzve të zakonshëm të popullit, të braktisur në fatin e tyre.

I ndjeri Fatos Baxhaku e përcolli dijen dhe përvojën e tij tek gazetarët e rinj edhe si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës dhe si editor në të përditshme të njohura.

I pabujshëm, po aq sa dhe i suksesshëm, Fatos Baxhaku do të kujtohet si njeri e profesionist i shkëlqyer, si koleg i dashur dhe drejtues dinjitoz. I përjetshëm do të jetë kujtimi i tij.

Komento

Komente

  • Hajdutet me kollare: 17/08/2019 18:22

    Shyqyr qe te pakten e bete nje pune, se nga ju o te mjere s'mund te presesh asgje me shume. Vazhdoni te vidhni e te rripni si zakonisht buxhetin e shtetit (palo shtet), se per kete pune jeni bere mjeshtra te vertete (keni mbi 60 vjet qe grabisni). Tani edhe per sa kohe?!!!!.......

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?