Dosja K në Report Tv sjell historinë e Gjelosh Lulashit, i pushkatuar në 4 mars 1946 bashkë më krerët e klerit katolik në Shkodër, sot martir i kishës katolike. Nipi i tij Ndoc Ashta, sjell kujtimet e mbledhura prej bashkëvuajtësve mbi torturat e Sigurimit ndaj xhaxhait të tij 21 vjeçar dhe shumë rrëfime që ja ka lënë gjyshja e tij Mirja, mbi takime e pakta ne kohen e hetuesisë dhe se si e priti ajo dënimin e tij me vdekje, ditën e vendimit në gjykatën ushtarake në Shkodër.
4 marsi i vitit 1946 ishte një ditë tmerri në Shkodër. Në varrezat katolike, rreshtuar para një muri, lidhur dorë me dorë do të pushkatoheshin 6 të dënuar me vdekje: 4 klerikë Atë Daniel Dajani, Atë Giovanni Fausti, Atë Gjon Shllaku dhe seminaristi Mark Çuni, dhe dy djem të rinj besimtarë Gjelosh Lulash Bajraktari dhe Qerim Sadiku. Një turmë e madhe qytetarësh ishin mbledhur për të parë një skenë mkabre. Kishin marrë ftesa nga pushteti popullor, për të qenë spektator të kësaj ngjarjeje. Kishin mbërritur herët që pa gdhirë dhe prisnin të jepej urdhri për të qëlluar.
Në rreshtin e parë ishte nëna e njërit prej tyre, Gjeloshit. Ajo grua e fortë malësore do të shihte me sytë e saj teksa trupi i të birit do të shembej përdhe i lidhur me 5 të pushkatuarit e tjerë. Duhej të tregonte qëndresë. Asnjë pikë lot nuk e derdhi. As kur tiranët e shtynë trupin e të birit me 5 të tjerët të lidhur me tela me gjemba, në gropën e përbashkët. E fiksoi dhe e nguli fortë në mendje atë pamje makabre dhe me një kthjelltësi të pazakontë bëri llogaritë se si do ta fitonte këtë vend, që varri i të birit të mos humbte.
Vite më vonë në shtëpinë e saj, ajo do t’ia tregonte me dhjetëra herë këtë skenë nipit të saj të parë Ndocit, si një amanet që historia e djalit të saj të mos humbë e të tregohet brez pas brezi.