‘Jam Erion Veliaj’, i riu i kërkon biznesmenit në Tiranë 50 mijë €, arrestohet teksa po merrte 20 mijë €! Pas mashtrimit dyshohet se fshihet sërish Florian Gjergji

25 Shtator, 16:33| Përditesimi: 25 Shtator, 19:41

  • Share

TIRANË- Një tjetër skemë mashtrimi, si ato të organizuara nga Florian Gjergji, është tentuar të realizohet në Tiranë në emër të kryebashkiakut Erion Veliaj. Një 26-vjeçar, Shkëlqim Saraçi, është hequr si kryebashkiaku Veliaj dhe i ka shkruar në Signal administratorit të një biznesmeni dhe i ka kërkuar 50 mijë euro.

Burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema bëjnë me dije se skemën e mashtrimit e ka organizuar personi i identifikuar si Lulzim D., 24 vjeç, i cili sipas sistemit TIMS rezulton në Itali. Ky i fundit në bashkëpunim me të arrestuarin Shkëlqim Saraçi janë prezantuar tek biznesmeni me emrin e Erion Veliajt, por ky i fundit e ka kuptuar se bëhet fjalë për një skemë mashtrimi dhe ka lajmëruar policinë.

Hetuesit kanë dyshime se pas kësaj skeme fshihet sërish Florian Gjergji. Ky fundit dyshohet se fshihet në Gjermani, person i cili sipas policisë dyshohet të jetë autor i dhjetëra skemave të tilla mashtrimi.

Por, skema e mashtrimit nuk është finalizuar pasi biznesmeni e ka kuptuar dhe i riu është arrestuar nga policia pikërisht në momentin që do merrte 20 mijë euro. Saraçi ka rënë në pranga, ndërsa  bashkëpunëtori i tij Lulzim D., është shpallur në kërkim. Edhe Gjergji, i cili dyshohet se qëndron pas këtyre skemave të mashtrimit ku hiqen si zyrtarë të lartë, është shpallur më herët në kërkim ndërkombëtar.

"Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, si dhe në drejtimin e Prokurorinë së Tiranës, finalizoi operacionin policor të koduar “Apps”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi Shkëlqim Saraçi, 26 vjeç, banues në Tiranë.

26-vjeçari u kap në flagrancë ndërkohë që po i merrte administratorit të një subjekti privat, të cilin e kishte mashtruar në aplikacione të ndryshme, 20000 euro. Gjithashtu, si rezultat i këtij operacioni u identifikua dhe u shpall në kërkim organizatori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi Lulzim D., 24 vjeç. Gjatë hetimeve ka rezultuar se këta shtetas, duke u prezantuar si funksionarë të lartë shtetërorë, i kanë kërkuar administratorit, 50 000 euro.

Punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Lulzim D., i cili nga verifikimet rezulton se është jashtë shtetit, si dhe vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast", njofton policia. 

Policia ka sekuestruar 20 mijë eurot,  3 celularë dhe 1 automjet. Ndërkohë, ndaj dy të rinjve rëndojnë akuzat për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.

Nga Gjermania, atje ku ndodhet prej kohësh, Florian Gjergji dirigjon çdo gjë, nga rekrutimi i njerëzve për marrjen e parave, të cilët i mashtron në këmbim të disa kacidheve sikur po marrin plaçka të thjeshta te biznesmenët, e deri tek mesazhet në drejtim të presë së radhës.

Florian Gjergji gjithmonë shkruan në “Telegram” ose në “Signal”, dy aplikacione që lejojnë përdoruesin të ketë emra fals, ku dërguesit nuk i shfaqet numri i celularit. Në rastet e shumta ka përdorur emrin e Erion Veliaj, Taulant Ballës, Artan Lames, Vilma Nushit dhe Pjerin Ndreut. Rasti i fundit i mashtrimit, pas s¡ cilit policia dyshon se fshihej Gjergji ishte ai i mashtrimit të biznesmenit Ylli Yjka, të cilit i morën 15 mijë euro duke u shtirur si Pjerin Ndreu. 

Rasti “Florian Gjergji” ka shqetësuar jo pak Policinë e Shtetit, e cila vijon të përballet thuajse çdo muaj me të paktën nga një “pre” e tij, me të njëjtën skemë, por që lokalizimin dhe arrestimin e ka të pamundur. 

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Loni: 25/09/2024 20:20

    Vetem po e spiunoj ndonjeri nga te grupit se ju sjeni te afte te lidhni lidheset e kepuceve. Ju edhe metodat speciale qe nuk gjeni dot nje palaco. E dilni me video show mediatik policia aksion ketu e aty... u pika qe sju bie policia qe sduam...

    Përgjigju
    • Tuti: 26/09/2024 13:49

      Po edhe keta qe jepkan haraçin kaq te vaket qenkan se e merr nje ne tel e i thot jam filani apo fisteku... por policija nje her me metodat speciale kap lidhjet e energjise te spiunuara nga komshiu. Kap te dehurit ne timon. Kap mini trafikantet (shperndaresit pa mbeshtetje) ata qe e sjellin si gjen dot. Etj etj. Uroj te kapet edhe ketyre biznesmenve ti letesohet pak dhimbja sado pak...

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?