Kronikë

Korçë/ Dritson Kurti rrezikon 25 vite burg, komuniteti rom në protestë: Ne martohemi që në djep! 13-vjeçarja me lot në sy: Lirojeni, jemi pa bukë

20 Shkurt, 12:48| Përditesimi: 20 Shkurt, 16:11

  • Share

Korçë-Pesë muaj më parë, Dritson Kurti, 21-vjeç, pjesëtar i komunitetit rom u prangos, pasi bashkëjetuesja e tij, vetëm 13-vjeçe solli në jetë foshnjen e tyre të parë. Sot lirimin e Dritsonit e kërkojnë me çdo kusht familjarët dhe gjithë anëtarët e komunitetit, të cilët zhvilluan një protestë para gjykatës së Korçës. 

Martesat në moshë të hershme janë traditë e jona, thekson kreu i komunitetit rom në qarkun e Korçës. 

“Po e mbajnë në burg me padrejtë. Por ne e kemi si kanun, si traditë që na e kanë lënë pleqtë. Ne e dimë ligjin, por avash avash do e rregullojmë. Ne e kemi që martohemi që në djep. Ça ke lindur ti, djalë. Ça ke lindur ti, vajzë. Do t’i fejojmë. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë e Gjykatës që ky të shkojnë në shtëpi se ka një fëmijë për të rritur”, tha Avni Kallo kryetar i shoqatës së komunitetit rom.

Me qëllim sensibilizimin, protesta nisi me marshim nga qendra e qytetit deri te gjykata.

Duke kërkuar lirimin e nipit, gjyshja e Dritsonit tha se nusen 13-vjeçare e kanë marrë në shtëpi me dëshirën e saj dhe miratimin e familjes. Fakt që e pohon vetë e mitura e cila tha se mbyllja e Dritsonit në qeli i ka vënë në vështirësi ekonomike. 

"Ai nuk ka njeri, punon ditë e natë se mban familjen. Po e mbaj unë me një pension 120 mijë lekë. Po e mbaj unë një plakë 73-vjeçe, se nuk ka njeri. Dua të drejtën e nipit. Çfarë ka bërë ai, ka vrarë, ka therur. E mori për të krijuar familjen, nuk ka bërë asnjë krim. Të vini dorë të ma nxirni nipçen”, tha gjyshja e Dritson Kurtit. 

“Të lutem më lironi burrin. Ai nuk më ka marrë me dhunë mua, më ka marrë te familja. Ai nuk më ka nxjerrë në rrugë. Ai më ka marrë per të krijuar familje. As atësinë e fëmijës nuk e kam vetë. Gjykatësja ka kërkuar 25 vite burg. Çfarë ka bërë ai që ta dënojnë 25 vite burg. Unë një krah pune e kisha, ai punonte dy punë dhe sillte për të ngrënë”, tha bashkëjetuesja e tij. 

Në Gjykatën e Korçës ka nisur prej dy javësh çështja gjyqësore në ngarkim të Dritson Kurtit. Gjatë dhënies të pretencës, prokurorja Ledjana Shkurti kërkoi 25 vite burgim për 21-vjeçarin, të cilin e akuzon për “marrëdhënie seksuale me te mitur”. Në seancën e radhës mbrojtësi ligjor, i caktuar nga gjykata do të kërkojë lirimin e Dritson Kurtit me argumentin se ‘ka detyrime prinderore dhe familjare’.  

Xh.K/R.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?