MAT- Policia e Matit ka shoqëruar 4 persona si të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, që u gjet i pajetë në afërsi të liqenit të Shkopetit. Të shoqëruarit janë persona që më herët kanë pasur konflikte me viktimën. Ata kanë thënë se problemet që kishin me 23-vjeçarin i kishin mbyllur dhe nuk kanë dijeni për rrethanat e krimit. Pasi u morën në pyetje për disa orë, u liruan nga policia.
Ekspertiza paraprake ka nxjerrë se 23-vjeçari Dobra ka humbur jetën nga mbytja me litar. Policia i ka përqendruar hetimet në disa pista, si konfliktet që i riu mund të ketë pasur, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Sipas burimeve, në Gjermani, nga ku ishte deportuar pak muaj më herët, ka qenë i përfshirë si shpërndarës i lëndëve narkotike. Këtë aktivitet dyshohet se po e vijonte së fundmi edhe në qytetin e tij. Në vendin tonë 23-vjeçari nuk ka precedentë të theksuar kriminal, por i dyshuar dhe hetuar për vjedhje banesash.
Trupi i pajetë i 23-vjeçar u gjet një ditë më parë buzë liqenit të Shkopetit, pas kallëzimit të të atit se kishte humbur kontaktet me të birin. I riu dyshohet se është ndjekur dhe dhunuar. Autorët e paidentifikuar ende, mund ta kenë vrarë të riun përpara se ta hedhin bashkë me automjetin e tij në liqenin e Shkopetit për të fshehur krimin. Dyshimet janë se gjatë kohës që makina binte poshtë, trupi të ketë dalë nga automjeti pak metra pa rënë në ujë.
Report Tv dhe Shqiptarja.com kanë siguruar pamjet nga nxjerrja e makinës së 23- vjeçarit Renis Dobra, nga Liqeni i Shkopetit.
I riu u gjet i pajetë në afërsi të këtij liqeni më 9 korrik, ndërsa ka dyshime se autorët mund ta kenë vrarë të riun përpara se ta hedhin bashkë me automjetin e tij në liqenin e Shkopetit.
Komente
