I riu s'iu bind urdhrit për të ndaluar dhe qëlloi me armë efektivët! Policia amerikane vret një tjetër person me ngjyrë, publikohen pamjet

2 Janar 2021, 08:13| Përditesimi: 2 Janar 2021, 09:33

  • Share

Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në Minneapolis të Shteteve të Bashkuara, në qytetin ku disa muaj më parë u vra nga policia amerikane George Floyd, që më pas nxiti një sërë protestash të dhunshme. Një natë para fundvitit, më 30 dhjetor, policia qëlloi për vdekje një 23-vjeçar me ngjyrë, të quajtur Dolal Idd, i cili u ndalua nga policia si i dyshuar për një krim. Por, i riu refuzoi urdhrin e ndalimit dhe tentoi të largohej me makinë. Gjatë përpjekjes për t’u arratisur, 23-vjeçari qëlloi me armë ndaj efektivëve. Policia u përgjigj menjëherë, duke e ekzekutuar me armë zjarri.

Për të shmangur një tjetër zemërim të publikut dhe nisjes së protestave, policia amerikane publikoi dhe pamjet e kamerave të trupit që kishin policët në vendin e ngjarjes. Oficeri i policisë dëgjohet duke bërtitur “ndal, duart lart”, por Dolal Idd, i cili ishte i armatosur, qëlloi ndaj oficerëve. Të gjendur në një situatë të tillë, punonjësit e policisë  u kundërpërgjigjën me armë duke vrarë 23-vjeçarin.

Brenda makinës së të riut ishte edhe një femër, e cila nuk pësoi asnjë lëndim. As nga oficerët e policisë nuk pati të lënduar. Shefi i policisë së Minneapolis tha se një armë u gjet në vendin e ngjarjes. Kurse kryebashkiaku i qytetit, Jacob Fray, tha se çështja i takon drejtësisë.

“Ne e dimë që një jetë është ndërprerë në mes dhe se besimi mes komuniteteve me ngjyrë dhe zbatimit të ligjit është i brishtë. Që ky besim të rindërtohet, do të varet nga transparenca e plotë”, tha ai.

Ndërsa babai i viktimës e konsideroi ngjarjen racizëm. Këto komente ai i bëri menjëherë pas ngjarjes së rëndë kur nuk ishin publikuar ende pamjet e kamerave të trupit.

“Ai sapo ishte futur në makinë dhe ndaj tij u derdh breshëri plumbash pa asnjë arsye. Pse ndodhi kjo? Për shkak të ngjyrës… Ai ishte njeri me ngjyrë. Duam të dimë pse djali im u pushkatua dhe u vra”, tha babai i Dolal Idd.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?